Rajoni

Mbrojtja e krerëve të UÇK-së këmbëngul për shtyrjen e fillimit të gjykimit në Hagë

Mbrojtja e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodhen në Hagë për akuzat e krimeve të luftës, kërkon që gjykimi kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të fillojë pas 18 muajsh, në verë të vitit 2022. Avokati i ish presidentit Thaçi, David Hooper deklaroi se kjo periudhë duhet për kryerjen e hetimeve të domosdoshme.

Për këtë kërkesë, Gjykatësi Nicolas Guillou vlerësoi se do të shprehet në një tjetër moment ndërsa në janar do të zhvillohet seanca e radhës statutore ndaj ish luftëtarëve të UÇK-së.

Sipas aktakuzës Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje të cilat sipas Dhomave të Specializuara janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.