Politikë

Mbyllet procesi zgjedhor për kreun e PD-së, nis numërimi i votave

Procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike ka përfunduar në të gjitha rrethet ku u mbajtën votimet. Procesi u organizua nga Komisioni i Rithemelimit. Kandidatët për të marrë drejtimin e demokratëve janë Ibsen Elezi dhe Sali Berisha.

Kjo garë nuk pritet të përfundojë me shumë supriza, ku të gjitha gjasat janë që të shpallet fitues ish-kryeministri Berisha. Kryetarja e Komisionit të Zgjedhjeve në PD, Albana Vokshi, tha se askush nuk e di sa është numri real i votuesve pasi sipas saj listat e anëtarëve kanë qenë të fryra nga ish-drejtuesit.

Teksa hodhën votën në kutinë e votimit, Berisha e quajti 22 majin si ditën e shpresës për të ardhmen ku tha se nuk ka asgjë që e ndal këtë mision historik. Nga ana tjetër, Elezi përsëriti thirrjen që të mos ketë shkelje pasi nuk do t’i tolerojë dhe tha se as ai, as Berisha nuk janë drita e shpresës për të ardhmen, por është demokracia.

Në Kukës dhe Bulqizë, rreth gjysmë ore më para se sa orari që ishte përcaktuar në herët dhe ka filluar procesi i numërimit.

Në Kukës u hapën tre qendrat e votimit për zgjedhjen e kreut të ri të PD, dy në qytet ku votuan anëtaret e qytetit, të grup seksioneve të Grykës së Vanave, Topojan, Shishtavec, Zapod, Bicaj, Malzi, Terthore, Shtiqen, Surroj, Arren, Kolsh.

Qendra tjetër ishte në fshatin Bushtrisë, ku votuan grup seksionet Bushtrice Ujmisht,Gryke- Caje dhe Kalis. Edhe anëtarët që nuk janë në listë morën pjesë në zgjedhje duke votuar me kartë anëtarësie të shoqëruar me letërnjoftim.

Në garë janë ish-lideri Sali Berisha, i cili pas 9 vitesh, synon rikthimin në krye të Selisë Blu dhe rivalit Ibsen Elezi, ish-numri një i PD-së Kukës. Procesi që nisi në 08:00 të mëngjesit, organizohet nga Komisioni i Rithemelimit. Në të gjithë vendin janë 108 qendra votimi ku demokratët u thirrën të shprehin vullnetin me votë, deri në orën 20:00.

Deri në orën 17:00 kanë votuar në total 38.184 anëtarë të PD.

“Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale pranë Partisë Demokratike njofton se pjesëmarrja në votime për Kryetar të PDSH deri në orën 17.00, sipas qarqeve, pasqyrohet në tabelën bashkengjitur. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale fton të gjithë anëtarët e PD që ende nuk kanë votuar, të bëhen pjesë e procesit më të rëndësishëm në historinë e PD, në procesin e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të PDSH me parimin “një anëtar një votë”, njofton Komisioni i Rithemelimit.