Aktualitet

Mbyllet Samiti “Ukrainë-Europa Juglindore” në Tiranë!

Liderët pjesëmarrës në Samitin “Ukrainë-Europa Juglindore”, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë realizuan foton familjare, në përfundim të punimeve të samitit, para konferencës për shtyp mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili theksoi se “humbja e Putinit është siguria jonë”. Sipas tij, “Europa duhet të jetë hapësira ku çdo shtet përcakton fatin e vet”.

E gjithë armiqësia e tij, gjithçka që bën, është për të detyruar kombet e tjera të bëjnë siç do ai, ndaj për të gjitha shtetet tona është e rëndësishme që Putin të humbasë. Dështimet e tij janë siguria jonë.

Duke folur për mbrojtjen, Zelenskyy vuri në dukje se është i interesuar të rrisë bashkëpunimin me shtetet e Ballkanit Perëndimor, sidomos në bashkëprodhimin e municioneve ndërsa Ukraina lufton me pushtuesit rusë.

Ne shohim se problemet me municionet po ndikojnë gjendjen në fushëbetejë. Ne jemi të interesuar për bashkëprodhim me ju dhe me të gjithë partnerët e tjerë. Ekipi ynë qeveritar do të prezantojë detajet për mbajtjen e një forumi të Industrisë së Mbrojtjes së Ukrainës dhe Ballkanit në Kiev apo në ndonjë nga kryeqytetet tuaja.

Në fjalën e hapjes së samitit, kryeministri Rama iu bëri thirrje shteteve demokratike të rajonit, si edhe atyre më të pasura që të vazhdojnë të mbështesin financiarisht e ushtarakisht Ukrainën, duke argumentuar se prej kësaj mbështetje, varet mbijetesa e Ukrainës.

Mënyra për t’i dhënë fund luftës nuk është çarmatosja e viktimës, por ndalja e agresorit. Shpërblimi i një agresori që pushton territorin e një shteti sovran nuk sjell paqe, por hap rrugën për më shumë luftë.

Për presidentin rus Putin, shefi i qeverisë, Edi Rama deklaroi se e nisi luftën e paprovokuar ndaj Ukrainës në shkurtin e vitit 2022, sepse ishte “i drejtuar nga një ëndërr e vjetër e një të shkuare perandorake”.

Prania juaj këtu na kujton se ai ka dështuar, pavarësisht fuqisë ushtarake dhe propagandës toksike, Rusia neoimperialiste ka dështuar që të shtypë qeverinë ukrainase të zgjedhur në mënyrë demokratike. Ka dështuar që të shtypë vullnetin e ukrainasve që të jetojnë në një shtet të lirë, të pavarur dhe demokratik. Ka dështuar që të heshtë të vërtetën.