Aktualitet

Më mirë apo më keq, zbuloni përgjigjet e sondazhit të TAR për pushimet në Shqipëri!

Jemi në kulmin e sezonit veror dhe shqiptarët duken të ndarë për ecurinë e tij. Shumica prej tyre të ndikuar edhe nga masat e pandemisë COVID-19, kanë zgjedhur të shijojnë bregdetin shqiptar, dhe më pak kanë zgjedhur të shkojnë jashtë vendit.

Në një sondazh të realizuar nga TAR, në faqen online të saj, 45% u përgjigjën “Më keq”, 45% “Më mirë”, dhe me “Nuk e di” u përgjigjën 9%.

Arsyet përse shqiptarët janë të dyzuar për cilësinë e pushimeve këtë sezon mund të jenë të shumta, megjithatë është e qartë se disa ngjarje kriminale që kulmuan në fund të qershorit me masakrën e Velipojës me 4 të vrarë e dy të plagosur, duket se ndikuan mjaft negativisht në imazhin e vendit dhe largimin e turistëve, sidomos atyre të huaj.

Për këtë ngjarje pati edhe një reagim nga Kryeministri Rama:

“Natyrisht që ngjarjet e ndodhura janë tronditëse nuk diskutohet, por për turistët mos kini asnjë merak. Atmosfera e nje vendi ku me demek turistët nuk duhet të vijnë se rrezikojnë të vriten rrugëve, është në ekran dhe jo në realitet. Fakti e tregon që turistët po vijnë dhe do vazhdojnë të vijnë. Turistët nuk vijnë nga hëna, vijnë nga vete ku jetohet, ku ka dhe situata të vështira, dhe ky 1, 2, 3 apo 4 ngjarje nuk përcaktojnë nivelin e sigurisë apo nivelin e pasigurisë në një vend”.

Problematika si konfliktet midis bizneseve për shfrytëzimin e hapësirave pranë bregdetit apo trajtimi i mbeturinave kanë qenë mjaft prezente në nisje të sezonit e në vijim.

Jo pak shqetësuese për pushuesit e rinj ka qenë edhe ora policore 23:00 që më pas shkoi në 00:00, apo ndalimi i muzikës në bare, clube e restorante në orën 22:00 që më pas u shty gjithashtu me një orë!

Megjithatë numri i vizitorëve të huaj në Shqipëri arriti në 604,381 në qershor, 3.4 herë më shumë sesa shifra në qershor 2020, kur u hoqën kufizimet e pandemisë, dhe afër shifrave të qershorit 2019 prej 630,334, sipas raportit të INSTAT.

Prej tyre 575,740 vizitorë erdhën në Shqipëri për arsye personale të tilla si pushime ose vizita tek të afërmit.

Kosova përbën vendin me numrin më të lartë të vizitorëve në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019, përkatësisiht 334,908 kosovarë në 2021, 213,550 në qershor 2019 dhe 109,517 në qershor 2020.

68,522 vizitorë mbërritën nga Maqedonia e Veriut, pak më shumë se sa në qershor të 2019 (67,767 vizitorë), dhe disa herë më shumë se san ë qershor 2020 (9,878 vizitorë).

Ndërsa vizitorët e huaj nga Greqia, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë rënë ndjeshëm në krahasim me 2019.