Botë e Çuditshme Food & Drink Lifestyle

Mendohuni dy herë para se të uleni në këtë lokal pasi nëse keni vendosur të mos porosisni do të ‘gjobiteni’!

Besojmë se ju ka ndodhur shpesh të uleni në ndonjë bar dhe të mos porosisni asgjë. Ndërkaq, taverna La Solía de Liaño, në Spanjë, ka vendosur që të tarifojë me 1,5 euro të gjithë klientët që ulen në tavolinë dhe nuk konsumojnë. Kjo ide ka lindur sidomos për grupet që ulen në tavolinë dhe jo të gjithë porosisin.

Pronari i lokalit, Óscar Solana, shprehet:

Industria ka ndryshuar pas COVID. Ne kemi nevojë që njerëzit të konsumojnë. Inflacioni po ndikon shumë tek puna jonë. Ne nuk jemi qendra sociale e qytetit. Ne kërkojmë vetëm pak respekt. Nëse grupi është i madh, duhet të bashkojmë dy tavolina. Nëse do të konsumonin vetëm 4 nga 6, do t’i kishim vendosur në një tavolinë për katër persona. Njerëzit duhet të kuptojnë se ky është një biznes dhe se ne kemi nevojë që ai të jetë fitimprurës. Përndryshe, do të ishte e pamundur.

Gjithsesi, Óscar Solana thekson se në shumicën e rasteve, “gjoba” nuk është vendosur, pasi klienti e ka mirëkuptuar dhe ka porositur një kafe. Rikujtojmë, se disa ditë më parë pronari i një kafeneje në Siçili vendosi përballë lokalit të tij një pankartë me ofertën e re që parashikonte çmime të ndryshme për pirjen e kafesë.

Kjo shaka e pronarit u keqkuptua dhe i hapi atij telashe. Çmimet ndryshonin jo në varësi të orarit, por nga gjinia. Për meshkujt, kafeja kushtonte 0.80 cent, ndërkohë për gratë zbriste me 10 cent. Pronari kishte shtuar edhe kategorinë “Lgbtqiat+”. Çmimi për to, ishte 75 cent, praktikisht midis çmimit të meshkujve dhe grave.