Bota

Mes frikës amerikane për miqësinë Rusi-Kore e Veriut, Kim Jong-un inspekton bombardues bërthamorë rusë!

Kim Jong Un inspektoi bombarduesit strategjikë rusë, të aftë të mbajnë armë bërthamore e raketat hipersonike. Udhëheqësi komunist ishte në bazën ajrore Knevichi. Udhëheqësi i Koresë së Veriut shoqërohej nga ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu. Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut druhen se ringjallja e miqësisë Moskë-Phenian mund t’i japë akses Koresë komuniste në disa prej raketave më të ndjeshme të Rusisë. Në këmbim do të ndihmojë Moskën me armë e municione për luftën në Ukrainë e që vazhdon prej shkurtit të vitit të kaluar.

Shoigu i tregoi Kimit bombarduesit strategjikë të Rusisë të llojeve Tu-160, Tu-95 dhe Tu-22M3, të aftë të mbajnë armë bërthamore.

Këta bombardues konsiderohen shumë të rëndësishëm në forcën ruse të sulmit nga ajri. Ata mund të fluturojnë nga Moska për në Japoni dhe të kthehen.

Po ashtu, Kim Jong-Un arriti të shohë raketat që lëshohen nga bombarduesit strategjikë. Shoigu zgjodhi dhe t’i tregojë aftësitë e helikopterit supersonik MiG-311, të pajisur me raketa hipersonike Kinzhal.

Kizhnal është një raketë balistike e aftë të mbajë koka bërthamore. Raportohet se kjo lloj rakete ka rreze veprimi nga 1 mijë e 500 deri në 2 mijë kilometra dhe mund të transportojë municion prej 480 kilogramësh. Gjithashtu, kjo raketë mund të fluturojë deri në dhjetë herë më me shpejtësi se e zërit.

Një ditë më parë, Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vunë në dukje se bashkëpunimi ushtarak mes Koresë së Veriut dhe Rusisë shkel sanksionet e Kombeve të Bashkuara të vendosura ndaj Phenianit.

Rusia po i kushton shumë rëndësi mediatike vizitës së Kimit e vazhdimisht ka lënë të kuptohet për mundësinë e një bashkëpunimi ushtarak me Korenë komuniste, vendin e izoluar që drejtohet prej tij me grusht të hekurt.

Rusia po synon të sigurojë armë e municione për luftën në Ukrainë. Tre ditë më parë, Kim dhe presidenti rus, Vladimir Putin biseduan për çështje ushtarake, luftën në Ukrainë dhe thellimin e bashkëpunimit. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov bëri të ditur se nuk ka asnjë plan që dy liderët të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje zyrtare gjatë kësaj vizite të liderit koreano-verior.