Bota

Mes shqetësimeve për sulmet në Detin e Kuq, çmimi i naftë bie 2%!

Raportohet se dje, çmimet e naftës ranë gati me 2%, duke eliminuar rritjen e së martës, në kohën kur investitorët ndjekin nga afër zhvillimet në Detin e Kuq, ku dhe janë rikthyer anijet tregtare pavarësisht sulmeve të mëtejshme të 26 dhjetorit. Nafta e papërpunuar u shit me 79.65 dollarë për fuçi ndërsa cilësia më e ulët u shit me 74.11 dollarë po për fuçi.

Kompania daneze Maersk tha se ka planifikuar dërgesat me disa dhjetëra anije përmes Kanalit të Suezit dhe Detit të Kuq në javët e ardhshme, pasi më herët këtë muaj bëri thirrje për një ndalim të përkohshëm pas sulmeve nga grupi Houthi i Jemenit e që mbështetet nga Irani.

Kompania franceze CMA CGM tha gjithashtu se po rifillonte transportin përmes Detit të Kuq pas vendosjes në rajon të një force ushtarake shumëkombëshe. Callum Macpherson nga grupi i investimeve Investec:

Mendoj se duhet të presim dhe të shohim nëse patrullimet e shtuara detare dhe ndryshimi i rrugës së anijeve do të çojnë në një rënie të sulmeve.

Mundësia e një fushate të zgjatur ushtarake izraelite në Rripin e Gazës mbetet nxitësi kryesor i tregut të naftës. Edhe dje, forcat izraelite goditën Gazën qendrore nga toka, deti dhe ajri, një ditë pasi shefi i Shtabit të Izraelit, Herzi Halevi u tha gazetarëve se lufta do të vazhdojë “për shumë muaj”.

Ndërkohë, ngarkesat e naftës në portin rus të Detit të Zi në Novorossiisk u pezulluan për shkak të një stuhie. Megjithatë, Ministria e Energjisë së Kazakistanit deklaroi se terminali i Konsorciumit të Gazsjellësit Caspian (CPC) pranë portit ishte i hapur.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sasia e naftës së papërpunuar u rrit javën e kaluar me 1.84 milion fuçi, sipas burimeve të tregut që iu referuan shifrave të Institutit Amerikan të Naftës.

Nxjerrja e naftës në Rusi, prodhuesi i tretë më i madh në botë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Arabisë Saudite, pritet të jetë i qëndrueshëm ose të rritet vitin e ardhshëm. “Kjo pasi Moska zyrtare ka anashkaluar sanksionet perëndimore”, siç edhe thanë analistët.