Politikë

Meta: “Prokuroria të hetojë publikimin e të dhënave!”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i drejtoi sot disa pyetje kryeministrit Edi Rama në lidhje me publikimin e databazës së të dhënave të qytetarëve të Tiranës si dhe rikërkoi hetim nga Prokuroria.

Në një konferencë për shtyp Meta deklaroi:

U bënë 7 ditë që i kam kërkuar Prokurorisë nisjen e hetimit mbi keqpërdorimin e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë dhe të bazës së të dhënave shtetërore nga Partia Socialiste.

Meta iu referua letrës së politikanes gjermane, Rezarta Reimann, nënkryetare e Grupit Socialdemokrat në Këshillin Bashkiak të Schuabach në Gjermani drejtuar kryeministrit Edi Rama ku ngre disa pyetje lidhur me publikimin e të dhënave të votuesve shqiptarë.

1. Kur u krijua kjo bazë të dhënash, ku ruhet, kur u popullua me të dhëna në PS?

2. A janë këto të dhëna të njëjta me të dhënat që qytetarët ia kanë dorëzuar shtetit në e-Albania?

3. A kemi harxhuar ne si shtet miliona euro për tendera, për bazën e të dhënave dhe ruajtjen e tyre në mënyrë të pacënuar?

4. Të më dëgjojnë tani të gjithë sipërmarrësit! Muajin e fundit, qytetarët që ushtrojnë aktivitete biznesi janë detyruar pranë QKB dhe KASH të dorëzojnë të dhënat. Lindin pyetjet:
Cilat janë tashmë garancitë që i ofrohen këtyre qytetarëve, në kushtet e administrimit të të dhënave? Garancitë që i ofrohen qytetarëve e sipërmarrësve, në kushtet e rrjedhjes së të dhënave?

5. Unë personalisht, Ilir Meta, President, nuk kam deklaruar ndonjëherë apo dorëzuar askund për administrimin e të dhënave, për qëllime të mbledhjes së këtyre të dhënave dhe përllogaritjes së PS. Kur e keni kryer për Presidentin, çfarë u keni bërë qytetarëve me të dhënat?

6. Ndaj dua të të pyes, ty Rama, si kryeministër, me ç’të drejtë i ke marrë të dhënat, nga ID, atësia, mëmësia, datëlindja, vendlindja, kodi i banesës, nr. telefoni, vetëpunësim. Me çfarë guximi i keni vendosur epitete, qëllime, synime, mbi 910 mijë qytetarëve?

7. Me ç’të drejtë i ke vendosur nga një spiun, për t’iu futur në jetën personale, për t’i zbuluar çfarë dëshirash e hallesh deri tek jeta intime, për t’i shantazhuar ata? Për t’i dhunuar ata që ose mos të shkojnë të votojnë nëse janë përkrahës të PD apo LSI sepse përndryshe do kenë hata të madhe ose të japin garanci se do votojnë për Rilindjen.

8. Si diskriminon nga përkatësia etnike, raca, fetare, apo filozofike, gjendja ekonomike, arsimore ose përkatësia prindërore. Duke vendosur epitete e të dhëna skandaloze.

9. Kush do mbajë përgjegjësi nëse përdoren nga mafia kombëtare e ndërkombëtare? Ju dhashë prova si u bë në Maqedoni, u pranua nga autoritetet, me qytetarë në Bashkinë e Korçës e Pustecit, madje dhe nga Dibra e mund të ketë ndodhur në shumë Bashki.

10. A e mendon ti se me këtë që ke bërë i ke hapur derën krimit kibernetik dhe vjedhjes së identiteteve?

11. A mendon se duke nxjerrë të dhënat e njerëzve të drejtësisë që janë të ngarkuar me ruajtjen e sigurisë i ke nxjerrë lakuriq, si në plazhet e botës, përballë krimit të organizuar, vendas e ndërkombëtar dhe vendeve joarmiqësore sidomos tani në prag të zgjedhjeve?

I kërkoj SPAK-ut të nisë urgjentisht verifikimet, duke nisur nga kryeministri në detyrë Rama dhe drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Një ditë më parë, për patronazhistët foli dhe kryeministri Rama i cili kishte një mesazh për presidentin Meta.