Sociale

Mori 80 mijë euro fajde dhe duhet të kthente 170 mijë, prangoset 30 vjeçari kosovar

Borxhi me përqindje që çoi në pranga një djalë të ri nga Kosova.

Një tjetër i hetuar i akuzës ka pranuar përpara gjykatës përfshirjen në skemën e marrjes së parave me përqindje, thënë ndryshe para me fajde.

Qerim Krasniqi 30 vjec i tha gjyqtares së masave te sigurimit personal Shefkie Demiraj se në marrëveshje i kishte marrë kallzueses 80 mijë euro, por që me përqindje kishin shkuar 170 mijë euro.

I arrestuar menjëherë mbasi hyri në Shqipëri, 30 vjeçari u justifikua se borxhin me përqindje e mori nga mikpritësja me synimin për t’i investuar në kriptomonedhë.

Duke përfshirë edhe përqindjet ky borxh sipas tij i shkoi 135 mijë euro. ‘I kam investuar paratë në bursë tek një shtetas nga Maqedonia’- shtoi më tej në dëshmi i riu nga Kosova.

Krasniqi hyri në miqësi me gruan e cila jo vetëm e strehoi në hotel, por edhe u kujdes kur ai u sëmur nga Covidi. Gjatë kësaj miqësie, gruaja u mashtrua dhe sipas saj borxhi ishte vetëm 135 mijë euro që iu kërkua në disa këste.

‘Krasniqi më tha se do m’i kthente paratë sapo t’i hapej llogaria bankare’ – tha gruaja pranë autoriteteve, atëherë kur e kuptoi se ishte gënjyer dhe miku e kishte bërë bllok në telefon.

Qerim Krasniqi përsërit nga ana e tij se edhe ai është mashtruar nga një maqedonas që ja përvetësoi paratë dhe pastaj u zhduk. Dëshmia më e re e tij përpara gjykatës që flet për para me fajde dhe po vlerësohet nga akuza.

Me gjithë pretendimet e parave me fajde deri më tani janë nën hetim vetëm 5 dosje për fajdet, një proces i cili është i ndaluar nga ligji në vendin tonë. Në njërën prej çështjeve i akuzuar Ferdinand Rushi, nën akuzë për vrasje është vendosur gjithashu nën hetim pasuror me argumentin dhe indiciet se policia kishte të dhëna që ai ishte përfshirë në dhënien e parave me fajde.

Rasti më i bujshëm i hetimit të borxheve me përqindje është ai i Shkodrës, mbasi ish-prefekti i Shkodrës Paulin Radovani denoncoi rënien në grackë të dy djemve të tij që morën me fajde me 20 përqind interes një borxh dhe që më pas, ata u kërcënuan familjarisht.