Në Itali, vazhdon emergjenca e motit të keq në Emilia-Romanja, me shira të pandërprerë, zona të tëra nën ujë dhe rrëshqitje të reja dheu që po gjunjëzojnë Apeninet. Më shumë se 100 komuna janë goditur.
Numri i njerëzve që u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre është rritur në më shumë se 36 mijë, shumica e tyre në zonën e Ravenës. Një ditë më parë, një helikopter që kontrollonte linjat e energjisë u rrëzua. Dje u njoftua vetëm për një të lënduar, por më pas u konfirmua se katër vetë mbetën të plagosur, dy në gjendje të rëndë.
Ndërkohë, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni po planifikon kthimin e saj të shpejtë në Itali duke lënë përgjysmë takimin e G7-ës që po zhvillohet në Hiroshima të Japonisë. Meloni u shpreh:
Ndërgjegjja ime kërkon që unë të kthehem.
Sot, Meloni do të vizitojë zonat e përmbytura dhe bëri të ditur se masat për pjesët e goditura nga katastrofa do të merren në mbledhjen e pas dy ditëve. Po ashtu, siguroi se do të gjenden burimet.
Ministri i Infrastrukturës, Matteo Salvini apeloi të zhbllokohen digat që kanë qëndruar boshe prej dekadash.
Në përballimin e pasojave të përmbytjeve nga moti i keq, me shira intensivë në Emilia-Romanja, kompania që menaxhon hekurudhat italiane bën të ditur synimin që më 2 qershor të bëhet rihapja e plotë e urës për linjën Bolonja-Rimini. Rfi-Rete Ferroviaria Italiana tregoi se është duke integruar planin e përgatitur për rikuperimin e plotë të trafikut të trenave në linjën ku u bë rihapja e seksionit mes Bolonjës e Faencës. Hapi tjetër, rivënia në funksion për seksionin Forlì-Rimini deri ditën e nesërme.
Rruga shtetërore 64 “Porrettana” në Marcaboto të zonës së Bolonjës u rihap për qarkullim, ku mbetet aktive mbikëqyrja e personelit të kompanisë që në Itali kujdeset për infrastrukturën rrugore të vendit fqinj.
Pas mbylljes së lidhur me motin e keq, Statale 64, tashmë është plotësisht i hapur për trafikun rrugor.
Erëra të forta pati edhe në Kalabri, ku një burrë humbi jetën dje, i goditur nga një pemë e rrëzuar teksa shëtiste me qenin e tij.