Sociale

Moti i keq sposton me 24 orë tragetin e linjës Ankona-Durrës; pritet nesër paradite, probleme dhe në Shëngjin

Trageti i linjës Ankona- Durrës “AF Marina” që ishte parashikuar të mbërrinte pasditen e sotme në portin e Durrësit, ka hasur vonesa dhe vështirësi në lundrim, për shkak të motit të keq, prandaj pritet të mbërrijë në orët e para të së shtunës.

Për rrjedhojë, po ky traget, nuk do të kryejë lundrimin sipas itinerarit që kishte planifikuar për mbrëmjen e sotme, por pritet të niset nesër rreth orës 11:00 drejt portit italian të Barit.

Ndërkohë do të vijojë normalisht lundrimin drejt Barit trageti “Rigel VII” me nisje të parashikuar rreth orës 23:00, ndërsa “AF Claudia” që mbërriti mëngjesin e sotëm nga Bari do të niset rreth orës 19:00 drejt Ankonës.

Autoritetet po monitorojnë në vazhdim situatën detare, ndërsa shprehen se në mbrëmje kushtet atmosferike në Gjirin e Durrësit pritet të qetësohen.

Moti i keq ndalon punën në portin e Shëngjinit, pezullohet lundrimi i anijeve

Moti i keq me shi dhe erë të fortë sidomos pas mesdite, ka sjellë probleme edhe në Portin e Shëngjinit.

Kapiteneria e portit ka pezulluar lundrimin për anijet e peshkimit dhe mjetet e vogla detare. Aktualisht dallgëzimi në det është 5 deri ne 6 ballë në drejtimin jug/lindje.

Era e fortë dhe kushtet atmosferike kanë bërë që të bllokohet lundrimi për dy ditë me radhë, deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.