Aktualitet Art & Kulturë

Muzika italiane në zi, shuhet Milva, “Pantera e Goros”

Arti italian është në zi! Milva, një prej këngëtareve më të mëdha u shua në moshën 81-vjeçare, në shtëpinë e saj në qendër të Milanos.

E mbiquajtur “Pantera e Goros”, me emrin e qytetit të lindjes, vuante prej kohësh nga një sëmundje, siç bëri të ditur për mediat e vendit fqinj vajza e artistes. Familja konfirmon se po organizon ceremoninë e lamtumirës së Milvës, pseudonim për Maria Ilva Biolcati. E lindur më 17 korrik të vitit 1939, jetonte në Milano me sekretaren Edith dhe vajzën Martina, kritike arti.

Milva njihet si një prej interpretueseve më të njohura të këngës italiane. Zëri i saj ka ngjallur emocione të thella në shumë breza.

Në një postim në rrjetet sociale, Ministri i Kulturës në Itali, Dario Franceschini e kujton si një artiste të madhe që preku skenat ndërkombëtare duke e bërë global suksesin e saj dhe mbajtur lart emrin e vendit ku lindi, jetoi e mbylli sytë. Në 2010-ën, Milva publikoi albumin e tretë me titull: “Non conosco nessun Patrizio”, i realizuar në bashkëpunim me Franco Battiato-n. Dy të parët që iu përkasin viteve 1982 e 1989 janë “Milva e dintorni”, si dhe “Svegliando l’amante che dorme”.

Pas gjysmë shekulli në skenë, 11 vjet më parë “Pantera e Goros” i dha lamtumirën skenës.