Sociale

Myftiu i Kosovës Tërnava, uron besimtarët për Kurban Bajram

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në prag të Festës së Kurban Bajramit, uroi besimtarët myslimanë për këtë festë dhe ftoi qytetarët që të kenë kujdes dhe të respektojnë masat kundër koronavirusit, pasi siç u shpreh, “virusi është ende në mesin tonë”.

Myftiu Tërnava tha se Kurban Bajrami karakterizohet me therjen e kurbanit dhe kryerjen e Haxhit, por për këtë të fundit, tha se shpreson që vitin e ardhshëm, besimtarët të kenë mundësi të shkojnë në Mekë dhe Medinë që të kryejnë këtë kusht të Islamit.

“Fatkeqësisht edhe këtë vit, besimtarëve tanë, për shkak të gjendjes pandemike nuk u është mundësuar që të udhëtojnë drejt vendeve të bekuara të Mekës dhe Medinës, mirëpo shpirtërisht e ndiejmë aromën e atyre vendeve dhe mbetemi me shpresë që vitin tjetër të jemi atje për t’iu lutur krijuesit të gjithësisë”, tha ai.

Çfarë është Kurban Bajrami?

Kjo festë disaditore është një nga dy festat më të rëndësishme të Islamit.

Kjo ditë shënon vullnetin e Ibrahimit (Abrahamit në Bibël) për të sakrifikuar djalin e tij, sipas urdhrave të Zotit. Myslimanët e shënojnë këtë ditë duke bërë kurban një dele ose nje dhi. Mishi ndahet mes pjesëtarëve të familjes, mes miqve dhe i dhurohet të varfërve.

Kurban Bajrami festohet pas kryerjes së Haxhit, pelegrinazhit të përvitshëm në Mekë.

Pelegrinazhi në Mekë është një detyrim për besimtarët myslimanë, i cili duhet të bëhet një herë në jetë nga të gjithë myslimanët që mund ta përballojnë udhëtimin.

Pelegrinët shkojnë në Malin Arafat për të shlyer mëkatet e tyre, dhe më pas zbresin në Muzdalifa për t’u përgatitur për fazën përfundimtare të pelegrinazhit vjetor.

Pelegrinët, të veshur me rroba të bardha. e kalojnë natën e fundit në një vend kampimi në kodrën ku Islami pohon se Allahu e provoi besimin e Ibrahamit duke e urdhëruar atë të sakrifikonte djalin e tij, Ismailin, dhe ku Profeti Muhamed dha predikimin e tij të fundit.