Ndryshe Politikë

Myslim Murrizi: “Politikanët tanë nga katër hale, një e kanë për macen!”

Ditën e sotme në “Ndryshe”, mund të themi me plot gojë se nuk mbeti gjë pa u thënë. I ftuar në studion e TAR ishte politikani Myslim Murrizi, i cili tregoi shumëçka në lidhje me politikën dhe çfarë ndodh brenda dyerve të parlamentit. Kryetari i partisë “Lëvizja Demokratike Shqiptare” nuk ngurroi të fliste pa filtra ashtu siç jemi mësuar ta shohim dhe të kthente përgjigje pikante ndaj pyetjeve ngacmuese të Salsanos dhe Adit.

Teksa diskutimi ka filluar mbi reagimet e deputetëve dhe jo vetëm të parlamentit kur z. Murrizi bënte deklarata shumë të sinqerta dhe tregonte të vërtetat sipas tij në mesin e të gjithëve.

Kur unë flisja bënin sikur qeshnin, por atyre që nuk ju pëlqente e vërteta ime dilnin jashtë ose iknin si me stil në banjo. Për 8 vite nuk jam marrë me gjëra personale dhe familjen e askujt, pasi është një gjë që nuk e duroj dot vetë.  

Nuk mund të mungonte dhe pyetja se cili është mendimi i z. Murrizi mbi situatën e tensionuar Berisha-Basha dhe anën e kujt mban ai.

Akoma nuk jam ndarë, pasi të dy i quaj njëlloj. Nuk e di nëse ata kanë bashkëjetuar politikisht bashkë, por ashtu e kanë shitur në sy të të tjerëve. Është kohë e gjatë për të thënë që nuk e njohim njëri-tjetrin. Kanë qenë të shtrirë në të njëjtin krevat dhe e krruanin ku i vinte rehat. Ka qenë një dakordësi në heshtje. 

Teksa u pyet për opinionin e tij lidhur me shpalljen e ish- kryeministrit, Sali Berisha ‘non-grata’ nga ShBA, ai u shpreh se kjo gjë nuk i ndikon fare këtij të fundit. Murrizi, gjithashtu foli lidhur me ndikimin e ndërkombëtarëve në vendin tonë.

Kjo që i kanë bërë Berishës është si të të thonë që nuk je i ftuar në dasmë, ku ti në fakt nuk kishe plan të shkoje. Unë nuk di që ai ka aplikuar të shkojë në Amerikë. Duhet të nxjerrin prova konkrete. Pse 21 janarin e ka bërë Berisha dhe jo Ministri i Brendshëm  asokohe, Basha? Këta janë disa pika uj para atyre që fshihen. Ndërkombëtarët vijnë takojnë 5 hajdutë dhe mendojnë se gjërat janë mirë, nuk takojnë popullin e thjeshtë. 5 hajdutët janë: Rama, Basha, Berisha, Meta dhe Nano. 

Murrizi është pyetur gjithashtu nëse do të pranonte të bënte koalicion me Ramën apo të bëhej deputet i Partisë Socialiste nëse do t’ja kërkonte.

Nuk do pranoja nëse Rama do të më kërkonte deputet. Kam patur ftesë në 2013-ën. Unë nuk e përtyp dot, nuk them urdhëro, si urdhëron kot. Me PS-në nuk bëj koalicion, kështu e konceptoj në moral. Nuk ka specie më frikacake se hajduti dhe unë nuk i trembem një hajduti. 

E nëse ka një gjë për të cilën të gjithë qytetarët e vendit tonë janë kuriozë, është sa para qarkullojnë në duart e politikanëve duke filluar nga veshjet, shtëpitë e aksesorët e tyre dhe z. Murrizi nuk e kurseu një përgjigje tepër pikante dhe të drejtpërdrejt.

Kanë vila nga 1 milion e ca euro, kanë hale dhe për macen, nga katër hale, një e kanë për macen. Nuk quhet vjedhje kur lekun e plasin publikisht me vilat që kanë. Më fukarai në parlament e ka trikon e leshit ‘La coste’. Nuk e presin rrogën fare në fund të muajit. Nga socialistët kam veçuar gjithmonë Besnik Bardhin, e kam mbajtur si etalon, erdhi me po të njëjtin kostum që iku. 

Myslim Murrizi përpos angazhimit në politikë ka dhe bizneset e tij personale, por a do të vazhdojë të qëndrojë aktiv në politikë?

Patjetër, unë vazhdoj të jem kryetar i subjektit më të ri politik “Lëvizja Demokratike Shqiptare”. Jam kryetar, pas 4 vitesh kur të bëhen zgjedhjet nëse dikush tjetër merr sikur qoftë një votë më shumë se mua do të bëhet kryetar.