Film & Tv

“Naufragi” – Një copëz depresive nga Italia moderne. Por ka dritë në fund të tunelit… Kritikë.

Nëse kinemaja do ishte një boutique dhe “Naufragi” do ishte një fustan, atëhere do ishte si i bëre me porosi për aktoren Micaela Ramazzotti (nuk ka asnjë lidhje me këngëtarin e famshëm Eros Ramazzotti – ndajnë vetëm mbiemrin). Ajo i përket filmit po aq sa filmi i përket asaj – e për të vazhduar alegorinë – rrobaqepësi quhet Stefano Chiantini (“Storie Sospese”). Ai është edhe skenarist edhe regjisor i historisë së thellë dramatike por jo pa shpresë – një historie (disi klishé) që pavarësisht gjithçkaje të duhet t’ja nisësh nga e para. Gjithçkaja në film është një lumë ngjarjesh aspak të lehta për t’u gëlltitur që i ndodhin Maria-s (Ramazzotti), e aktorja nga Roma arrin të sjellë një koktail ndjenjash së bashku – emotivitet, pasion, dobësi dhe forcë, brenda pak minutash ajo është një kameleon që nuk të lë të marrësh frymë. Ky është një film i hapur ndaj dhimbjes dhe femërores, edhe pse rezultati nuk është gjithmonë i dëshiruari.

Prej datës 9 të Korrikut 2021, “Naufragi” ka dalë në platformat botërore të streaming, duke mos pasur ende data për në kinema (gjendja e virusit në Italinë fqinje vazhdon të jetë e nderë).

Maria është një grua me zemrën naive si të një fëmije. Bashkëshorti (Mario Sgueglia), e përkund njësoj si dy fëmijët e mitur të tyre – dashuria është aq e fortë e për pasojë çdo gjë bëhet e kuptueshme. Aq e kuptueshme sa edhe fëmijët pavarësisht moshës (në shkollë fillore) marrin përsipër detyra ‘të rriturish’ vetëm që të mos humbin mamanë e tyre. Por kjo e ka një çmim.

“Naufragi” e vë gishtin në plagë, duke parë brenda shpirtit të djegur të një gruaje të vrarë në fushë-betejën e jetës duke u munduar të shpjegojë se çfarë ndodh pas më shumë se një traume tek një njeri. Nuk mund të tregosh shumë nga filmi pa e zbuluar atë, e kjo do të ishte kriminale, sepse edhe ndjeshmëria e të zbuluarit të gjërave në film është e ngjashme me kujdesin e treguar për një të sapolindur.

I vendosur në Lazion (Civitavecchia, Montalto di Castro) e pavendosur se në cilën anë të qytetërimit do të rrijë, sfondi i filmit është fluid mes zhurmës së një metropoli dhe qetësisë shurdhuese. Në këtë shurdhësi Maria njihet me personazhin e luajtur nga Marguerite Abuet, pasqyra e saj e feminilitetit të vrarë. Një lloj mish-mashi ndjenjash të dy zemrave të ngjashme të cilat përplasen fort për t’u bashkuar në fund e mbase për ti dhënë një shanc njëra – tjetrës për të nisur nga e para.

Shurdhësia e filmit i ngjan titullit – çdo gjë është e mbytur – ndjenjat e kanë të vështirë të mos ndeshen me njëra tjetrën – është e pamundur që njëra anë të ngrejë kokë pa fundosur tjetrën, sepse jeta di të jetë e tillë – mizore deri në thyerje – madje mizore aq sa të të lërë të bashkëjetosh me thyerjen. Janë të shumta pikëpyetjet sociale që ngrihen në film: aksidentet në punë, shërbimet sociale, emigrimi, vetmia prej jetës në një vend ku askush nuk do t’ja dijë për ty – kapitalizmi me anën e tij më të ashpër. Pikëpyetje që nuk hetohen por denoncohen, ashtu, heshturazi.

Aftësia e Chiantinit për të elaboruar në imazh këtë histori sfilitëse është e rrëmujshme, në fotografi, montazh duke e bërë situatën zhgënjyese herë pas here. Ka një kufi shumë të hollë mes një filmi që rrëmon në shpirtëroren me dramë pas drame pa kufi pa marrë frymë për të mos u bërë ‘too much’. Marian dhe të shkuarën e saj e kuptojmë pak, (me dy gjysma-dialogjesh), akoma më pak personazhin pa emër të Abuet. Është ekuilibri fantastik i Ramazzottit që e mban filmin bashkë dhe i jep atij një notë kaluese në morinë filmave ArtHouse të kohëve që jetojmë.

Jepini një shans, me zemrën e hapur!