Aktualitet Sociale

Ndërron jetë në moshën 86-vjeçare lideri i Kuvajtit, Nawaf al-Ahmed!

Lideri i Kuvajtit, sheiku Nawaf al-Ahmad al-Jaber al-Sabah ka ndërruar hetë në moshën 86-vjeçare.

Sheiku e ka udhëhequr Kuvajtin e pasur me naftë, vetëm tre vjet, pasi mori pushtetin prej gjysmëvëllait të tij, sheikut Sabah al-Ahmed al-Sabah.

“Me pikëllim të thellë njoftojmë për vdekjen e sheikut Nawaf al-Ahmad al-Sabah“, thuhet përmes deklaratës së publikuar në televizionin shtetëror të Kuvajtit.

Sheiku Nawaf është emëruar princ kurore në vitin 2006 dhe mori detyrën e emirit në vitin 2020.

Ai ka shërbyer paraprakisht si ministër i Mbrojtjes dhe ministër i Brendshëm.

Emiri i ri i Kuvajtit është shpallur princi i kurorës, sheiku Meshal al-Ahmad al-Jaber Al-Sabah.

Kuvajti i cili ka popullsi prej 4.8 milionë banorëve, përfshirë 3.4 milionë punëtorët e huaj – është shteti i gjashtë më i madh në botë për rezerva të naftës, dhe është aleat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Familja në krye të fronit ka kontroll të plotë mbi pozitat ekzekutive dhe emirët kanë fjalën e fundit në çështjet politike. Emiri i shtetit ka pushtet edhe që të shpërbëjë strukturën parlamentare dhe të shpallë zgjedhje të reja.