Aktualitet Politikë

Ndihmë arabe kundër hakerave! Emiratet e Bashkuara Arabe do ndihmojnë Shqipërinë kundër Iranit

Një ditë pas publikimit të tjera nga hakerat iraniane të dosjeve sekrete te drejtorisë se informacioneve te klasifikuara Shqipëria nënshkroi një memorandum bashkëpunimi në fushën e sigurisë kibernetike.

Emiratet e Bashkuara Arabe, në armiqësi të fortë me Iranin, bashkojnë forcat krahas SHBA, BE dhe Izraelin për të shumëfishuar kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë pas sulmeve të sistemeve qeveritare nga Teherani.

Në praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan, u nënshkrua memorandum bashkëpunimit midis Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike në Shqipëri dhe Këshillit të Sigurisë Kibernetike të Emirateve të Bashkuara Arabe.

“Marrëveshje që është e një rëndësie të jashtëzakonshme strategjike për vendin tonë sepse ka të bëjë me sovranitetin e këtij vendi, integritetin e këtij vendi dhe me atë çka është sot lloji i ri i kërcënimit ndaj sovranitetit dhe integritetit, jo duke treguar tanket apo avionët që shkelin integritetin territorial por duke piratuar e duke sulmuar hapësirën kibernetike për të paralizuar të gjitha funksionet shtetërore.”- tha Rama.

Ministrit të Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, u shpreh i kënaqur për rritjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Ka edhe shumë të tjera që mund të bëjmë për energjinë, për energjitë e ripërtëritshme, infrastrukturën, turizmin dhe folëm edhe për bujqësinë. Kryeministër, përmes jush do të doja të them se ne në Emiratet e Bashkuara Arabe jemi të nderuar që kemi 12 mijë shqiptarë që jetojnë në Emirate, të cilët kanë bërë një punë mjaft të mirë. Shpresoj fort që të ndihen si në shtëpi aty. Ne do të bëjmë gjithçka të mundur për ta që të ruajnë kontaktet në vend, por edhe që ata të mos ndjejnë mallin shumë për shtëpinë duke qenë se janë në Emiratet e Bashkuara Arabe.”– tha Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan.