Sport

Ndodh sërish, UEFA zhvendos finalen e Champions League nga Turqia në Portugali

Qeveria Evropiane e Futbollit, njohur ndryshe si UEFA, vendosi zhvendosjen e finales së Champions League nga Turqia në Portugali.

Për të dytin vit radhazi finalja e madhe pritet të organizohet në Portugali për shkak të situatës së COVID-19 në Turqi. Këtë sezon ndeshja e fundit e kompeticionit pritet të luhet në stadiumin Do Dragao të Portos.

Lajmi nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga UEFA, por duke cituar burime, mediat britanike e kanë raportuar si fakt të kryer.

Zyrtarë të federatës angleze të futbollit, qeverisë britanike dhe të UEFA-s u takuan të hënën për të diskutuar propozimin që ndeshja Chelsea-Manchester City të mos luhej në Stamboll, por në Londër.

Propozimi u bë për faktin se autoritetet britanike kanë vendosur detyrim karantine për të gjithë ata që udhëtojnë dhe kthehen nga Turqia.

Megjithatë UEFA nuk mori garancitë e nevojshme nga autoritetet britanike për t’u garantuar të gjitha palëve lehtësirat e nevojshme për zhvendosjen.

Portugalia, e cila është në listën e gjelbër të udhëtimeve nga Britania e Madhe, mund t’u lejojë tifozëve lëvizjet më 29 maj dhe nga ana tjetër ngjashëm edhe lëvizjet e sponsorëve duke qenë se Portugalia është pjesë e Bashkimit Evropian. Këta të fundit do të duhet të dëmshpërbleheshin nga UEFA nëse nuk do t’ia dilnin mbanë ta mbulonin finalen.

Edhe vitin e shkuar UEFA zhvendosi finalen nga Stambolli në Lisbonë, kjo për shkak të situatës së pandemisë.