Aktualitet

Ndryshim në Qeveri, ikën Arben Ahmetaj, Belinda Balluku zv.kryeministre!

Arben Ahmetaj nuk do të jetë më zv.kryeministër. Në postin e numrit dy të qeverisë, zëvendësohet me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Ndërkohë, tashmë që Shqipërisë i janë hapur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian, duke u kthyer në përparësi, Majlinda Dhuka zëvendëson diplomatin Zef Mazi si Kryenegociatore e do të jetë Ministre Shteti pranë kryeministrit.

Njoftimi i kryeministrit Rama:

Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE,ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore&Ministre Shteti pranë kryeministrit.

Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zv/kryeministrit të fokusohet në këto fusha. Belinda Balluku bëhet zv/kryeministre.

Falenderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin. Falenderoj Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave; dy bashkëpunëtorë të vlefshëm në një rrugë sfidash që vazhdon.