Aktualitet

Në 2023-shin, më shumë aksidente! Në një ditë ndodhin mesatarisht 11 aksidente!

Numri i aksidenteve automobilistike gjatë vitit 2023 u rritën me gati 600 më shumë se një vit më parë.

Nga statistikat e urgjencës kombëtare rezulton se këtë vit janë shënuar mesatarisht 11 aksidente në ditë, nga 9 në ditë që pati vitin e kaluar.

“Për sa i përket traumave në makinë biçikletë apo këmbësorë janë 3858 aksidente gjatë 2023, ndërsa në vitin 2022 ka qenë 3293 aksidente. Muaji më tipik është gushti, me më shumë aksidente”, tha mjeku.

3858 aksidente gjatë 2023, 3293 aksidente në vitin 2022.  Makina – 2049 / motor – 847 / këmbësorë – 505 / biçikleta 429.

Autoambulancat e Urgjencës Kombëtare janë të parat që mbërrijnë në vendngjarje dhe sipas kreut të kësaj qendre, Dr Skënder Brata, është shtuar lëvizshmëria edhe për shkak të rritje së turizmit, ku në jo pak raste janë shënuar aksidente nga të huajt.

“Sapo kaloi edhe shifra 10 milion të huaj në Shqipëri, që edhe ata kanë pasur pasoja me aksidente, shpesh herë edhe fatalitete”, tha Brataj.

Përveç mosrespektimit të rregullave të qarkullimit, një ndër shkaktarët e numrit të lartë të aksidenteve është përdorimi i automjetit nën efektin e alkoolit dhe substancave narkotike, për të cilët Brataj thekson se persona konsumatorë të lëndëve narkotike  duhen regjistruar në mënyrë që t’i hiqet patenta.

“Duhet bërë edhe një regjistër, ku përdoruesit e substancave të jenë të regjistruar. Një person i tillë nuk duhet të ketë patentë, deri sa të vërtetohet përmes analizave që nuk është përdorues”, shoi ai.

Dr Brataj u bën thirrje qytetarëve të bëjnë sa më shumë kujdes në këto ditë festash, ku ka lëvizje të shtuar, sidomos në kryeqytet.