Aktualitet

Në burg për blerje votash, KQZ i jep mandatin Fredi Belerit dhe 11 kryebashkiakëve!

Në mbledhjen e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ miratoi shpërndarjen e mandateve për 12 këshilla vendorë, si dhe akordoi mandatet për 12 kryetarë bashkish, mes tyre Fredi Beleri. I kandiduar nga Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, ai fitoi zgjedhjet e 14 Majit në Bashkinë Himarë.

Fredi Beleri fitoi me rezultat të ngushtë, 19 vota më shumë se rivali socialist, Jorgo Goro. PS-ja nuk ngriti kontestime për rezultatin. Ai u arrestua në orët e para të datës 12 maj, pasi në bashkëpunim me persona të tjerë, u kap duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës.

Hetimet ndaj tij kishin nisur më 9 maj, pas referimit të rastit nga policia e Vlorës dhe mbështetur me pamje filmike e përgjime kur një agjent i infiltruar i policisë përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët Belerit dhanë 40 mijë lekë për 8 vota.

Ndërkohë, lidhur me arrestimin për blerje votash rreth dy javë më parë, Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi kërkojnë lirinë në Apelin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kërkesa e tyre është që të pushohet çështja, me pretendimin se nuk ka prova.

Rasti i tij u bë çështje e debatueshme edhe mes Shqipërisë e Greqisë, me palën greke që ka ngritur pretendime se arrestimi i Belerit ka të bëjë me dhunimin e minoritetit grek në Shqipëri. Por, për Tiranën zyrtare, ky rast është vetëm çështje e drejtësisë.

Po në mbledhjen e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ certifikoi rezultatin për kryetarët e bashkive Finiq, Selenicë, Dropull, Kolonjë, Devoll, Maliq, Dimal, Malësi e Madhe, Kavajë, Librazhd e Pogradec.

Kujtojmë se zgjedhjet vendore të 14 Majit u fituan me rezultat të thellë nga Partia Socialiste, kandidatët e së cilës morën drejtimin e 53 prej 61 bashkive. Koalicioni “Bashkë Fitojmë” i Berishës e Metës fitoi në Himarë, Memaliaj, Kavajë, Pukë, Mirditë, Fushë-Arrëz e Has, ndërsa partia MEGA e minoritetit grek, në Finiq.