Aktualitet

Në janar nis rehabilitimi i Spitalit Infektiv!

Në janar fillon rehabilitimi i Spitalit Infektiv, me synimin për ta kthyer në një qendër ekselence shërbimi. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, takoi mjekët dhe infermierët e Spitalit Infektiv, për t’iu shprehur mirënjohjen për punën dhe sakrificën e tyre në gjithë këto muaj të vështirë të përballjes me pandeminë.

Sfida e radhës është projekti ynë i madh, është projekti i rehabilitimit të Spitalit Infektiv, për ta bërë këtë spital një qendër ekselence të shërbimit infektiv kombëtar dhe për t’i dhënë këtij spitali atë transformim e modernizim të nevojshëm, në mënyrë që të ecim me hapin e kohës dhe ndërkohë të kemi mundësi që kjo qendër ekselence, edhe nëpërmjet teknologjisë, edhe nëpërmjet infrastrukturës, të ofrojë akoma më shumë.

Për të transferuar pacientët aktualë të Spitalit Infektiv apo përballuar rastet e shtuara, janë parashikuar të gjithë skenarët, sipas një plani të mirë detajuar.

Ne kemi bërë një plan të mënyrës si do ta organizojmë shërbimin në momentin që do të fillojë rehabilitimi i këtij spitali. Kemi disa skenarë. Kemi punuar fort në mënyrë që të krijojmë mundësinë e pritjes së rasteve të urgjencës nëpërmjet triazhimit në urgjencën kirurgjikale këtu në QSUT, ku tashmë ka filluar që qytetarët për rastet e urgjencës kirurgjikale të trajtohen në dy spitale, të Traumës dhe te “Shefqet Ndroqi”. Gradualisht jemi duke u spostuar drejt spitalit COVID 3, me të gjithë pacientët e sigurisht dhe për rastet e urgjencës, duke i triazhuar në njësinë e urgjencës qendrore në spitalin qendror, deri në momentin që ne të fillojmë dhe presim që muajin janar, të kemi një fillim të punës për rehabilitimin e Spitalit Infektiv.

Skenarët janë menduar që të përballojnë edhe flukse të shtuara të rasteve.

Kemi gati edhe spitalet rajonalë, sikurse kemi edhe spitalin “Shefqet Ndroqi” në gatishmëri të plotë për trajtimin e rasteve post-COVID e për të përballuar çdo fluks të mundshëm që mund të rezultojë përgjatë muajve në vazhdim.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u bëri një apel të gjithë qytetarëve, që gjatë festave të fundvitit, të tregohen të përgjegjshëm për të respektuar masat e vendosura.

Eshtë e rëndësishme thirrja për të gjithë qytetarët që në këto ditë festash duhet të tregohemi të kujdesshëm; të kujdesshëm për të ruajtur dhe për të zbatuar protokollet që ne kemi; të kujdesshëm për të mos mundësuar qarkullimin e COVID brenda ambienteve të mbyllura dhe duke siguruar që edhe në festat e vogla familjare që do të kemi në datën 31, të mundet që të jemi të vaksinuar dhe të garantojmë që askush të mos preket nga kjo sëmundje!