Rajoni

Në Mal të Zi paralajmërojnë votë kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Europës!

Në Malin e Zi, Partia Demokratike Popullore (PDP) në pushtet, mbështeti deputeten Maja Vukiçeviç, si kryetare të delegacionit të këtij vendi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës (APKE), për të votuar kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë.

Përkrahja e plotë i është shprehur nënkryetares së partisë, Maja Vukiçeviç, kryetare e delegacionit malazez në APKE, që të votojë kundër pranimit të të ashtuquajturës Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

PDP-ja është njëra nga anëtaret e Frontit Demokratik (FD) të shpërbërë prorus dhe proserb e ka shumicën parlamentare në Malin e Zi, vend që udhëhiqet nga Lëvizja Evropa Tani, e kryeministrit Millojko Spajiç.

Kjo parti e drejtuar nga njëri prej liderëve të ish-FD/së, Milan Knezheviç, lobon për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, daljen e Malit të Zi nga NATO dhe heqjen e sanksioneve kundër Rusisë. Kur erdhi në pushtet, në fund të vitit të kaluar, PDP-ja njoftoi se nuk do t’i ngrente këto çështje.

Në marrëveshjen e koalicionit me Lëvizjen Evropa Tani të kryeministrit Spajiç, ndër të tjera, palët ranë dakord që qeveria të mos merrte vendime që do të vinin në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës, sanksionet kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, si dhe detyrimet ndaj NATO-s.

Në vitin 2008, Kosova u njoh nga qeveria e Partisë Demokratike të Socialistëve e Milo Gjukanoviçit, por që në gusht të vitit 2020 humbi zgjedhjet ndaj FD-së proserbe e proruse, Demokratëve dhe lëvizjes URA.

Delegacioni i Malit të Zi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës përbëhet nga gjashtë anëtarë. Katër prej tyre janë anëtarë të qeverisë dhe dy të opozitës. Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës e dorëzoi në Asamblenë Parlamentare kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, në prill të vitit 2023 dhe kështu nisën zyrtarisht procedurat për shqyrtimin e aplikacionit të Kosovës.

Pro kërkesës së Kosovës votoi edhe përfaqësuesi i Malit të Zi. Për këtë reaguan ashpër një pjesë e partive proserbe në pushtet. Të pakënaqur me faktin se Mali i Zi votoi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës, deputetët e FD-së kërkuan një seancë dëgjimore të kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të atëhershme, Dritan Abazoviç.

Interesi i Malit të Zi për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës është në mirë të stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, pati thënë Abazoviç gjatë seancës së Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Parlamentit të Malit të Zi në maj të vitit të kaluar.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi me kërkesën e qeverisë Kurti drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.

Kjo çështje mund të jetë vendimtare për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, gjatë Asamblesë Parlamentare të atij institucioni, që do të mbahet në muajin prill. Nëse Kosova merr dritën jeshile në Asamblenë Parlamentare, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës. Qeveria e Kosovës pret që kjo gjë të ndodhë në maj. Kujtojmë se në maj të vitit 2022, Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Europës.