Celebrities Sport

Në top 8-shen e më të mirave të botës, Luiza Gega rrëfen ‘lumin’ e emocioneve në “Wake Up”!

Atletja e njohur, Luiza Gega, ishte sot e ftuar në emisionin “Wake Up” ku ka folur për fillimet e karrierës si dhe ka dhënë një këshillë për të gjitha vajzat dhe djemtë që duan të merren me këtë sport. Gega fillimisht tha se kur ka nisur të merret me atletikë shumë gjëra nuk i ka ditur, por që i ka mësuar me kalimin e viteve. Gjithashtu ajo ka zbuluar se ka pasur edhe momente kur ka menduar që të heqë dorë nga e gjithë kjo.

Unë e kam pasur shumë më të vështirë se sa kushtet që janë sot, për çdo gjë. Unë 25 vjeç kam arritur që të marr rrogën time të parë prej 25 mijë lekësh të reja, që në sport janë asgjë sepse ka kosto që tek atletet që ti do, kostumet. Gjërat sot kanë ndryshuar, qoftë te shpërblimet që merren për medaljet e ndryshme e qoftë te ky trajtim ushqimor që marrin. Por që shikoj një problem. Nuk kalojnë përtej zonës së komfortit. Unë kam vajza tezesh që i kam futur në rrugën e sportit, shpeshherë edhe tek ato e gjej të vështirë dhe mundohem t’u flas: ‘do kemi edhe pengesa gjatë rrugës, do mendojmë se nuk ia dalim, por nuk duhet të dorëzohesh. Vjen një moment që i kapërcen’. Se më ka ndodhur dhe i kam përjetuar.

Ndër të tjera ajo u shpreh dhe për emocionet e përjetuara kur përfaqësoi Shqipërinë në kampionat për herë të parë:

Unë edhe momentin e parë që kam përfaqësuar Shqipërinë, unë e them kryesisht në çdo intervistë, vesha për herë të parë ngjyrat kuq e zi dhe dola nga fundi. Ishte pikërisht kampionati europian dhe u ndjeva shumë keq. Kur përfaqëson veten, përfaqëson veten por kur përfaqëson ngjyrat e kombit tënd është një përgjegjësi shumë e madhe. Mua m’u dha ajo përgjegjësi dhe fillimet e mia nuk isha. U ndjeva shumë keq. I thashë trajnerit tim ‘ose do të stërvitem fort dhe të paktën të jem e konkurrueshme, që mos të thonë se kjo është shqiptare dhe është e fundit’. Aty filloi çdo gjë. Të ndryshoja konceptin mbi atë që unë bëja. Kuptova që ky do të jetë një rrugëtim shumë i vështirë, duhet të heqësh dorë nga shumë gjëra.