Lifestyle

Në vendin më të lumtur në botë foshnjat lindin në sauna!

Jetëgjatësia, të ardhurat e banorëve, bujaria sociale, shëndeti mendor dhe fizik i finlandezëve i japin vendit titullin e popullit “më të lumtur ” në botë. Kultura e saunës është një faktor i rëndësishëm që përcakton mirëqenien e finlandezëve. Tradita e saunës vlerësohet shumë, deri në atë masë sa që në vitin 2020 u shtua në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s.

Ndryshe nga vendet e tjera, ku sauna konsiderohet një luks në Finlandë është pjesë integrale e qytetarëve. Shumë njerëz kanë një sauna në shtëpi, shumë finlandezë të moshuar madje kanë lindur në një sauna. Për të tjerët, konsiderohet gjithashtu një hapësirë e shenjtë dhe një vend për të gjetur paqen dhe qetësinë.

Tampere, e vendosur më pak se dy orë në veri të Helsinkit, ka fituar titullin “kryeqyteti i saunës në botë”. Sipas Guardian, 250,000 banorët e zonës kanë në dispozicion rreth 60 sauna publike. Më e vjetra prej tyre, e cila u ndërtua në vitin 1906, është Rajaportti. Për banorët është një dhomë shërimi, një strehë për qetësi dhe një vend ku njerëzit e të gjitha moshave lidhen. Rëndësia e saunës për shoqërinë finlandeze është aq e thellë, sa për shumë njerëz ajo përcakton thelbin e jetës njerëzore.

“Löyly”, që përkthehet si avull ose nxehtësi, është në zemër të gjithë kësaj filozofie. Në thelb, është avulli i nxehtë që avullohet nga gurët e nxehtë në sauna dhe e shndërron hapësirën në një parajsë të ngrohtë dhe të lagësht, në gjendje të relaksojë ngadalë edhe muskujt më të ngushtë. Sipas Guardian, kuptimi i ‘löyly’ është diçka që njeriu mund ta perceptojë, vetëm kur hyn në saunë.

Shkencëtarët kanë konstatuar së fundmi se burrat të cilët gjatë periudhës njëzetvjeçare rregullisht kanë shkuar në saunë janë ekspozuar më pak në zhvillimin e demencës. Studimi i ri i një universiteti finlandez na bën me dije që shkuarja me rregull në sauna, mund të zvogëlojë zhvillimin e demencës te meshkujt. Shkencëtarët finlandezë kanë analizuar gjendjen e 2.315 meshkujve të cilët kanë gëzuar shëndet të mirë nga mosha 42 deri në 60 vjeç në kuadër të hulumtimit të gjerë mbi faktorët të cilët ndikojnë në zhvillimin e sëmundjeve koronare.