Aktualitet Politikë

Negociatat për presidentin: Gjiknuri: “Alibeaj përfaqëson grupin demokrat!”

“Në negociatat për emrin e ri të presidentit, Enkelejd Alibeaj vijon të përfaqësojë grupin parlamentar të Partisë Demokratike”. Këtë e deklaroi sot sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ndërsa nënvizoi se “procesi i negociatave për presidentin ka një format zyrtar”. Gjiknuri foli në një bashkëbisedim me gazetarë.

Në momentin kur PS bën thirrje për t’u ulur në tavolinë dhe për të dialoguar, mendoj se negociata është e sinqertë. Dialogu shfaqet dhe me veprime konkrete e veprimi konkret është thirrja për t’u ulur. Kemi kompromis për një axhendë, të cilën palët e kanë arritur, pasi kemi një axhendë se si do të procedohet dhe dakordësinë që kemi dhënë për të diskutuar profilin e pse jo për të dëgjuar dhe ndonjë emër nga ata.

Procesi i negocimit ka një format zyrtar për mënyrën si zhvillohet. Do të thotë që janë grupet e njohura të regjistruara në Kuvend, por unë besoj se nuk e pengon qoftë dhe grupimin që është në Kuvend, që është i njohur zyrtarisht, të dialogojë me të gjithë copëzat e PD-së,  sepse ata vetë kanë thënë që ne jemi në një proces që po mundohemi të bashkohemi. Pse të mos jetë dhe ky një proces bashkimi që përfaqësia e tyre zyrtare në tavolinën e negociatave të dalë me një kandidat? Ka procedura se si certifikohen, se mund të ketë shumë vetëshkarkime dhe vetëshpallje. Në Kuvend ka disa procedura. Dhe për aq kohë që Alibeaj përfaqëson opozitën e është kryetari i grupit të asaj force, ai do të jetë në tryezë. Unë nuk di të jetë shkarkuar Alibeaj. Se çfarë ndodh në Partinë Demokratike është problem i tyre! Unë them që ta gjejnë brenda tyre me negocim.

Më tej, Damian Gjiknuri nënvizoi se Sali Berisha mbetet një person “non grata”.

Nëse Alibeaj kërkon të bashkojë grupin e PD-së me një emër të Presidentit është në rregull. Berisha për ne nuk ekziston si faktor politik. Por, nëse Alibeaj me të tjerë, se vetëm Berishën dimë “Non Grata”, por nëse ata vijnë pas Alibeajt për një kandidaturë që i bashkon ata, unë e mirëpres. Të mblidhen, të diskutojnë brenda PD-së! Hodha një ide.