Bota

Netanyahu: Izraeli nuk i pranon kërkesat e Hamasit për armëpushim!

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u shpreh sot se autoritetet izraelite nuk do t’i pranojnë kërkesat e Hamasit për armëpushim në Rripin e Gazës. Hamasi është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Netanyahu i bëri këto deklarata pasi grupi radikal palestinez nuk e pranoi propozimin e Izraelit për armëpushim.

Hamasi e hodhi poshtë propozimin më të fundit të Izraelit të hënën në mbrëmje, duke e akuzuar atë se i shpërfilli kërkesat kryesore të grupit e që përfshijnë përfundimin e luftës dhe largimin e plotë të ushtrisë izraelite nga Gaza.

Netanyahu vuri në dukje se Izraeli nuk do të dorëzohet para kërkesave “joreale” të Hamasit e do ta vazhdojë punën për të shkatërruar armatimin e tij ushtarak dhe aftësitë qeverisëse, si dhe për t’i liruar pengjet e mbetura në Gaza. Të hënën, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Më herët gjatë ditës, ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Israel Katz, tha për Army Radio se rezoluta e Këshillit të Sigurimit për armëpushim në Gaza, si dhe për lirimin e pengjeve, e nxiti Hamasin ta refuzojë propozimin e Izraelit.

Po ashtu, kritikoi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin kryesor të Izraelit, pse nuk përdori veto kundër rezolutës, pasi në të nuk dënohej Hamasi, si dhe sulmi i tij më 7 tetorin e kaluar në Izrael.

Rreth 1 mijë e 200 njerëz u vranë dhe mbi 250 të tjerë u rrëmbyen më 7 tetor, kur pjesëtarët e Hamasit kryen një sulm të papritur në jug të Izraelit, duke e nxitur këtë luftë. Besohet se Hamasi ende po i mban rreth 100 pengje izraelite.

Më shumë se 32 mijë njerëz janë vrarë në territorin e rrethuar palestinez e më tepër se 74 mijë te tjerë janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Por, ky dikaster nuk e bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve kur i numëron viktimat. Sipas ministrisë së Shëndetësisë, dy e treta e të vrarëve janë gra e fëmijë, çka e bën edhe më alarmante situatën.

Në mesin e luftës Izrael-Hamas në Gaza, lideri i Hamasit sot viziton Iranin. Haniyeh do të mbajë një konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm të Republikës Islamike. Vizita e tij në Iran vjen vetëm një ditë pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm mes Izraelit e Hamasit në Rripin e Gazës.