Bota Lajmet e fundit

Nga Apple te Disney, kompanitë më të mëdha në Amerikë gati të paguajnë për abortet!

Ende nuk është shuar jehona e vendimit të Gjykatës së Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që mes shumë kundërshtimesh, shfuqizoi abortin si e drejtë kushtetuese. Ndërsa debatet vijojnë të nxehta, kompani të njohura amerikane, angazhohen të sigurojnë mbështetje e ndihmë financiare për punonjëset, në rast se do t’iu duhet t’i drejtohen një shteti tjetër për abort. Mes tyre janë emra të njohur si Apple, Disney, JPMorgan, etj.

Nga 1 korriku, JPMorgan merr përsipër të paguajë shpenzimet e udhëtimit për punonjëset që duhet të shkojnë në një tjetër shtet amerikan ku lejohet aborti, për të ndërprerë shtatëzaninë.

Apple theksoi se “mbështet të drejtat e punonjëseve për të zgjedhur”. Ashtu si JP Morgan do të paguajë shpenzimet. Të njëjtën gatishmëri kanë shprehur edhe Patagonia, Meta, Netflix, Warner Bros. Discovery. Lista që është në përditësim, vazhdon edhe me Alphabet, Amazon, Mastercard e Comcast.

Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet e quajti vendimin e gjykatës “pengesë të madhe pas pesë dekadash mbrojtjeje për shëndetin dhe të drejtat seksuale e riprodhuese në Amerikë”. Sipas saj, ishte goditje e madhe për të drejtat e njeriut, të grave e barazinë gjinore, ndërsa aksesi në abortin e sigurt, ligjor dhe efektiv është i rrënjosur fort në ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.

Në Amerikë, klinikat e abortit kanë nisur të mbyllen në disa shtete amerikane, pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Lartë që shfuqizoi të drejtën për abort. Rreth gjysma e shteteve amerikane pritet që të prezantojnë kufizime të reja apo ndalesa. Kjo pas vendimit të shumëdiskutuar të gjykatës me shumicë konservatore, për të përmbysur vendimin e marrë 50 vjet më parë për abortin, në rastin e njohur si Roe vs Wade.

Në trembëdhjetë shtete amerikane, të njohura si republikane, pritet që ndalesa për abortin të hyjë automatikisht në fuqi, brenda 30 ditëve të ardhshme. Ato njihen për qëndrime të ashpra ndaj abortit dhe priten përjashtime vetëm kur jeta e nënës është në rrezik. Presidenti amerikan, Joe Biden, e përshkroi vendimin gjyqësor si “gabim tragjik”.