Celebrities Live From Tirana

Nga minimalizmi e deri tek iniciativa “Nji Mar Nji Mrapsht”, Manjola Lloja tregon gjithçka në TAR!

Sot e ftuar në emisionin “Live From Tirana” ka qenë Manjola Lloja. Një sociologe e cila është edhe themeluese e një iniciative shumë të bukur që quhet “Nji Mar Nji Mrapsht”. Ajo ka folur në lidhje me temën “Të jetosh në mënyrë minimaliste”.

A je minimaliste Manjola në mënyrë se si jeton?

Jam minimaliste për objektet, por jo me ndjesitë dhe me përvojën për të mësuar gjëra të reja.

Në një botë ku ne i kushtojmë më shumë rëndësi të paturit dhe të dukurit sa e lehtë është t’i kultivosh njerëzve besimin për të jetuar me pak më pak dhe për të jetuar më të lumtur?

Nuk kam marrë përsipër të edukoj masën, ajo çfarë ne shohim në këtë kohë është e lidhur me konsumin dhe të paturit të gjërave por unë nuk e kam këtë. Nuk është e lehtë por në rastin tim do ishte më e vështirë që unë të dilja nga ajo që më duket më e drejtë por do sakrifikoja shumë më tepër po të isha minimaliste. 

Sociologia ka vijuar duke thënë se:

Është një zgjedhje se si duam ta jetojmë jetën. Nuk jam tek njerëzit që thonë se lekët nuk duhen por i shikoj si mjet edhe jo si qëllim. Duhet t’i marrim gjërat pak më ngadalë dhe t’i kushtojmë kohë vetes. Për shembull gjatë prindërimit duhet ta jetosh këtë proces pa sakrifikuar. Për mua është shumë e rëndësishme që gjërave t’ju japësh kohën, është e rëndësishme që ta jetosh momentin. Kur pasionin e kthen në profesion është e mrekullueshme. 

Më pas diskutimi ka kaluar tek pjesa se sa peshë ka sociologjia në gjithë këtë stil jetese dhe sa ndikon përgatitja në formimin e fëmijëve.

Sociologjia ka qenë brenda meje edhe përpara studimeve. Ditë për ditë kam mësuar shumë më tepër sesa nga shkolla. Më ka ndihmuar shumë në atë që unë kam dashur të bëj. Më ka bërë që të zhvilloj veten dhe kjo është një qasje pozitive.

Manjola gjithashtu e ka lidhur këtë edhe me eksperiencën e saj personale duke qenë se është prind i dy vajzave.

Me fëmijët mendoj se është shumë më tepër sesa ajo që t’i thua dhe bën. Përpiqem që të jem një prind i pranishëm dhe jo një prind pasiv. Nuk është e lehtë por tashmë është kthyer edhe në një punë të përditshme. Nuk të duhen shumë miq afër dhe rrotull vetes por duhet cilësi. 

Iniciativa “Nji Mar Nji Mrapsht” ka qenë edhe në fokus të bisedës ku LLoja ka treguar se:

Është një iniciativë e imja dhe e motrës time, Anisës. Qasja e parë ishte për të krijuar një hapsirë fikzike ku artistët e rinj dhe artizanët të kishin mundësinë të tregonin dhe të tregtonin punimet dhe krijimet e tyre.