Botë e Çuditshme Tech

Një “skenar Terminatori” e shkaktuar nga inteligjenca artificiale?! Flet ekspertja e Oksfordit!

Mundësia për një “skenar Terminatori” të shkaktuar nga inteligjenca artificiale është pothuajse zero, sipas një eksperteje të Oksfordit. Sandra Wachter mendon se paralajmërimet se inteligjenca artificiale mund të zhdukë njerëzimin janë vetëm për reklamë.

Rreziku për të cilin po flasin shumë njerëz është fantazi fantastiko-shkencore, që mund të krahasohet me filmin Terminatori. Ka rreziqe serioze, por jo ai lloj rreziku për të cilin po flitet aktualisht. Po flitet për një rrezik zhdukjeje të njerëzimit në mënyrë që të hiqet vëmendja nga problemi i vërtetë aktual i inteligjencës artificiale. Ky problem është diskriminimi dhe ndikimi në mjedis. Ky është problemi aktual, ndërkohë që po flitet për një gjë që nuk do të ndodhë, ose mund të ndodhë qindra vite më vonë.

Ajo shton se duhet të përqendrohemi edhe te vendet e punës që do të humbasin. Ekspertja nënvizoi se:

Edhe kjo çështje po eklipsohet tërësisht nga “skenari Terminator”, që me ato që dimë për momentin, ka zero mundësi që të ndodhë. Njerëzit duhet të shqetësohen për të tjera gjëra.

Një prej ish-drejtuesve më të lartë të Google ka paralajmëruar së fundmi se inteligjenca artificiale do të përdoret për të vrarë njerëz në të ardhmen. Eric Schmidt, i cili kaloi dy dekada në detyrë si CEO i gjigantit të kërkimit, tha në një mbledhje së fundmi se ai beson se AI paraqet një rrezik ekzistencial për njerëzimin, duke përcaktuar se shumë, shumë njerëz do të dëmtohen ose vriten.

Rikujtojmë, se miliarderi Elon Musk pret që përpara çdo gjëje tjetër, Inteligjenca Artificiale (IA) të përdoret nga qeveritë në mbarë botën për të prodhuar armë. Përmes një lidhjeje me video, pronari i “Tesla”-s, “Space X”-it dhe “Twitter”-it mbajti një fjalim, në samitin vjetor të Këshillit të CEO-ve të organizuar nga “The Wall Street Journal” (WSJ) në Londër.