Film & Tv

Një thirrje kreative, Sara Hoxha dhe Ledion Liço flasin mbi vendimin për të sjellë një projekt kinematografik!

Filmi me protagonist kryesor Luiz Ejllin dhe Olta Gixharin u prit mes emocionesh të shumta, ku një numër i madh njerëzish iu bashkuan pritjes në tapetin e kuq, aty ku yjet e kësaj premiere parakaluan njëri pas tjetrit, ndërsa bënë dhe fotografi me fansat e tyre. Premiera do të vazhdojë të shfaqet edhe në datat 10 dhe 11 tetor dhe biletat mund ti gjeni pranë pallatit të kongreseve por edhe në films.top-channel.tv

Në një intervistë ekskluzive në tepetin e kuq, ishin Sara Hoxha dhe Ledion Liço, të cilët folën më shumë për vendimin për të sjellë një projekt të këtyre përmasave. Por gjithashtu na zbuluan se shumë shpejt do të vijë dhe një projekt i dytë filmi…

Pse Top Channel vendosi të nisë të bëjë filma? Ja çfarë na thotë producenti i filmit Ledion Liço:

Kur je në një industri të artit dhe ke arritur të bësh për vete fusha si televizioni, radio, gazetaria, muzika… dhe të kishte ngelur vetëm kjo copëz e vogël, ti thua ‘pse jo?’. Pastaj kur ke një menaxhere të përgjithshme, e cila ushqen ëndrrat e atyre që ka me vete në skuadër, ëndrra bëhet realitet dhe ëndrra vazhdon. Kështu që ky ishte fillimi i Top Channel Films. 

A ishte ky një vendim biznesi, apo një thirrje kreative? Sara Hoxha na përgjigjet:

Thirrje kreative. Ishte pasion i Ledionit, i mbështetur dhe nga Lori. Më pak pasioni im, por jam e lumtur sot që e mbështes. 

Cili ishte kontibuti yt Sara në këtë film?

Gjithë procesi i filmit ka qenë shumë i ngarkuar dhe ka zgjatur gati një vit, kështu që ne kemi një moto; kur Ledioni mund të bëjë vetëm 20%, unë duhet të bëj 80% tjetër. Dhe kështu funksionon me çdo projekt tonin, qoftë “Dancing With The Stars”, Top-i, familja. Kur ai nuk ishte, isha unë dhe kur unë nuk do të jem në vazhdim, do të jetë Ledioni. Kështu që balancojmë njëri-tjetrin. 

Siç Ledioni tha, Top Channel është një vend ku ëndrrat bëhen realitet, a është kjo natë një dëshmi e kësaj?

Unë besoj se po! Të mbledhësh kaq shumë njerëz për një film, të bësh këtë organizim, të mbledhësh një kast fantastik aktorësh, njerëz që duan të ndryshojnë diçka në këtë vend… Unë mendoj që ky vend, si të gjithë ne dhe si të gjithë njerëzit që kemi përreth, meritojnë shanset e dyta. Ne në përgjithësi jemi pak shpirtra të butë, pavarësisht se hiqemi ndryshe dhe dorëzohemi kollaj. Unë mendoj që këtë vend po e bëjnë ata njerëz që nuk dorëzohen kollaj. Është shumë e lehtë të dorëzohesh, është pak më e vështirë të luftosh. Sara më nisi para pak ditësh një shprehje, kur e kisha shumë të vështirë të përballoja fluksin e të gjithë punëve, që thoshte: “Të punosh është e vështirë, të rrish kot është e vështirë. Zgjidh të vështirën tënde!” Dhe të gjithë ne nga pak, edhe publiku që është këtu, e ka zgjedhur të vështirën e vet. 

Shumë pak njerëz e kanë parë këtë film, ti Sara je ndër ata të paktit?

Po, unë jam ndër të paktit që e ka parë. 

Çfarë të ka befasuar nga ky film?

Aftësia dhe kimia që kanë të gjithë aktorët. Nuk kisha dyshim për Zamira Kitën dhe Ndriçim Xhepën, por jam shumë e surprizuar nga Sara, Olta, Luizi, Roerdi, të gjithë aktorët e rinj të këtij filmi. Janë realisht një kast fantastik. Është një humor shumë i lezetshëm nga fillimi deri në fund, është një komedi shumë e lezetshme. Është prekja e Ledionit!

Cili është projekti i radhës i Top Channel Films?

Ne projektin e radhës e kemi, por unë mendoj që sot është për të festuar “Në kuadër të dashurisë”. Do të ketë kohë boll për të folur për një projekt të dytë të Top Channel Fims që vjen më shpejt nga secili prej nesh e priste.