Bota

Norvegjia e Austria vazhdojnë me lehtësim të masave anti-COVID!

Norvegjia hoqi sot kufizimet përfundimtare në kuadër të masave anti-COVID, duke mos lënë në fuqi detyrimin për distancimin shoqëror dhe maskat, në hapësirat e mbushura me njerëz. Kryeministri, Jonas Gahr Store:

Metri po zhduket! Ne po heqim rekomandimin për distancimin shoqëror! Tani mund të shoqërohemi si më parë, në jetën e natës, në ngjarje kulturore dhe raste të tjera, si gjatë udhëtimeve me autobusë, trena dhe tragete.

Por, Gahr Store theksoi se “pandemia nuk ka mbaruar” dhe këshilloi personat e pavaksinuar e ata në grupet e riskut, të vazhdojnë të praktikojnë distancimin shoqëror, si edhe të mbajnë maska kur distancimi nuk është i mundur.

Në Austri, rregullat që lejojnë hyrjen vetëm për personat e vaksinuar ose të shëruar nga Covid-i po anulohen. Nga 19 shkurti, përveç Vjenës, jo vetëm ata që janë vaksinuar e shëruar, por gjithashtu personat që rezultuan negativë do të lejohen të kthehen në restorante. Të njëjtat rregulla, vlejnë edhe për turistët.

Shumica e fuqisë mbrojtëse nga dozat përforcuese të vaksinave kundër koronavirusit bie pas katër muajsh. Në këtë përfundim dalin Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Në këtë mënyrë rriten shqetësimet se disa amerikanë, veçanërisht ata me probleme, duhet të marrin një dozë të katërt.

Studimet paraprake nga Izraeli dhe Britania e Madhe sugjeruan se mbrojtja e ofruar nga dozat përforcuese bie brenda muajsh. Por, të dhënat e fundit të prezantuara në Amerikë, paraqesin sinjalet e para të rënies së mbrojtjes nga vaksinat e prodhuara me teknologjinë mRNA, si Pfizer e Moderna. Studimi u fokusua te personat që kanë kërkuar trajtim mjekësor për shkak të COVID-it.

Zyrtarët shëndetësorë amerikanë presin të kuptojnë nëse personat me risk të lartë nga koronavirusi duhet t’i nënshtrohen regjimit prej tre dozash apo të marrin edhe të katërtën sa i përket vaksinës anti-COVID. Më herët, publikuan të dhëna që tregonin se doza e dytë dhe e tretë e Moderna-s e Pifzer-it, mund të jenë më pak efektive ndaj Omicron-it se kundrejt variantit Delta të koronavirusit.