Aktualitet

Nuk e kap dekriminalizimi, KQZ mbyll procedurën për Tom Doshin!

Pas dërgimit të verifikimit të Tom Doshit nga Prokuroria e Përgjithshme, KQZ mbyll procedurën. Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vendimi u mor në mbledhjen e sotme, me arsyetimin se nuk përfshihet më në sferën e ligjit të dekriminalizimit, duke qenë se nuk ka mandat deputeti dhe as mundësi për ta fituar.

Kryetari Ilirjan Celibashi:

Jemi përballë rastit që nuk përfshihet më në sferën e ligjit të dekriminalizimit. Nuk ka mandat deputeti e as ndonjë mundësi që ta fitojë atë!

Më 4 nëntor, sektori i Dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme miratoi rezultatet e verifikimit për subjektin Tom Doshi dhe ia përcolli Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Si organ kompetent duhet të shqyrtonte nëse janë evidentuar të dhëna që përfshihen në sferën e kufizimeve të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe në vijim, të vlerësonte nëse ato janë brenda periudhës së ndalimit të përcaktuar në po këtë ligj.

Por sot kryetari i KQZ-së Ilirjan Celibashi u shpreh se Doshi nuk është deputet dhe procedura u mbyll pa vendim.