Bota

Nuk ndalen protestat, Irani shpërbën Policinë e Moralit!

Irani shpërbën Policinë e Moralit, në mesin e protestave që vazhdojnë pas vdekjes në paraburgim të 22-vjeçares Mahsa Amini, e ndaluar në shtator nga kjo polici, me pretendimin se shkeli rregullat e mbajtjes së hixhabit. Fillimisht, efektivët e kësaj strukture jepnin paralajmërime, por më pas nisën me arrestimet e vajzave e grave, me pretendimet se nuk respektojnë rregullat.

Një zyrtar nuk u ndal në arsyet se përse po mbyllet, por i cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, tha vetëm se “Policia e Moralit nuk ka të bëjë me gjyqësorin”.

Kontrollet e kontestuara të Policisë së Moralit nisën në vitin 2006 kur Republika Islamike udhëhiqej nga presidenti i linjës së ashpër, Mahmud Ahmadinejad. Kjo me qëllim që të zbatoheshin rregullat e veshjes islame, veçanërisht sa i përket mbajtjes së hixhabit.

Në Iran, Parlamenti dhe gjyqësori nisën punën për të shqyrtuar nëse ligji që u kërkon grave të mbajnë hixhabin në publik, duhet apo jo të ndryshohet. Rezultatet përfundimtare priten brenda një ose dy javëve.

Një ditë më parë, Qeveria iraniane tha se më shumë se 200 persona janë vrarë në protestat që shpërthyen pas vdekjes së Aminit në shtator.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe grupet për të drejtat e njeriut në Iran kanë raportuar se manifestimet e përmasave të mëdha, janë shndërruar në një prej sfidave më serioze për pushtetin iranian që nga koha e Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Sot në një intervistë dhënë televizionit shtetëror iranian, zëvendësministri i Sigurisë, Majid Mirahmadi, tha se “shkaku kryesor” i protestave nuk ka të bëjë me ekonominë.

Ky është një prej shkaqeve, por nuk është shkaku kryesor. Janë protesta kundër padrejtësisë.

Ndërkohë, presidenti iranian, Ebrahim Raisi, tha dje se “themelet islamike të Iranit janë të përfshira në Kushtetutën e vendit”, ndërsa shtoi:

Por, ka metoda të zbatimit të Kushtetutës që mund të jenë më fleksibël.