Aktualitet

Nuk ndryshon masa e sigurisë, Fredi Beleri mbetet në burg!

Fredi Beleri mbetet në burg, në seancën e sotme nuk u ndryshua masa e sigurisë, por iu la në fuqi “Arresti me burg”.   Në seancë ishin edhe ambasadorja greke në Shqipëri dhe  avokatët grekë, të cilët do të japin një konferencë. Mbrojtja kërkoi ndryshim të masës së sigurisë për Belerin, por pa sukses.

Nën akuzën për korrupsion në zgjedhje, Fredi Beleri u arrestua në flagrancë dy ditë para zgjedhjeve lokale e mbahet në burg edhe pasi doli fitues në garën e 14 Majit. Në pamundësi për të bërë betimin si kryebashkiak i Himarës, akuzoi kryeministrin Rama si personin përgjegjës që pengon dhënien e lejes që të betohet. Vazhdimisht, shefi i qeverisë është shprehur se çështja i takon vetëm drejtësisë.

Në konferencën tradicionale për shtyp dhënë në mediat greke në kuadrin e Panairit Ndërkombëtar të Selanikut, kryeministri Kyriakos Mitsotakis u pyet edhe për çështjen Beleri. Mitsotakis insiston që kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës të lejohet të bëjë betimin, qoftë edhe nga burgu.

Unë nuk ndërhyj në gjykimin e drejtësisë shqiptare, por heqja e mundësisë së Fredi Belerit për t’u betuar si kryetar bashkie, edhe me statusin e personit të paraburgosur, përbën shkelje të rregullave të shtetit ligjor.

Po ashtu, Mitsotakis shtoi:

I kam ngulitur thellë kujtimet dhe përvojat nga vizita ime në Himarë, në fund të vitit të kaluar. Besoj se minoriteti kombëtar grek, i njohur si pakicë kombëtare duhet të ndjejë se te Greqia ka një aleat për të vetëkuptueshmen, që është mbrojtja e të drejtave. Flasim për të drejtat e pronësisë, flasim dhe për të drejta të barabarta për të marrë pjesë në veprimtarinë politike të Shqipërisë. Uroj dhe shpresoj që çështjes t’i jepet një zgjidhje sa më shpejt! Në çdo rast, nuk do të ndalem së ngrituri këtë çështje në nivel europian apo edhe drejtpërdrejt me kryeministrin Rama, herën tjetër që do ta takoj.