Bota

Nxënësit e shkollave të mesme në Rusi do të mësojnë si t’i përdorin dronët ushtarakë!

Nxënësit e shkollave të mesme në Rusi do të mësojnë si t’i përdorin dhe si t’i luftojnë dronët ushtarakë në vitin e ri shkollor, sipas planit mësimor të publikuar të hënën nga Ministria e Arsimit e Rusisë. Moska njoftoi në nëntor të vitit të kaluar se do ta kthejë sistemin sovjetik për stërvitjen e fëmijëve nga viti 2023, në një kohë kur po e vazhdon luftën tashmë 18-mujore në Ukrainë.

Lënda e dronëve, të cilën do ta mësojnë fëmijët nga mosha 15 vjeçe deri në atë 17 vjeçe, po futet nëpër shkollat e mesme tani që territori rus është duke u sulmuar pothuajse çdo ditë nga dronët ukrainas dhe në një kohë kur përdorimi i tyre në konflikt po bëhet i rëndësishëm.

Sipas website-it të Ministrisë së Arsimit të Rusisë:

Nxënësit do të mësojnë mënyrat sesi mund të përdorën në luftë mjetet ajrore (UAVs). Ata do të kryejnë, po ashtu, detyra praktike për pilotimin e dronëve, si dhe do të mësojnë algoritmin e luftimit të dronëve të armikut. Futja e një lënde të tillë në shkolla do ta bëjë të mundur përgatitjen sistematike të qytetarëve tanë për konfrontim të mundshëm me armikun.

Qëkur Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022, autoritetet ruse e kanë udhëhequr një fushatë të gjerë për rritjen e patriotizmit nëpër shkolla. Shkollat janë urdhëruar ta lëshojnë himnin kombëtar dhe ta ngrenë flamurin në fillim të çdo jave. Kremlini po ashtu futi në plan edhe orë mësimore – të cilësuar si “biseda të rëndësishëm” – për mesimin e revizionizmit të Luftës së Dytë Botërore, vlerave ruse dhe narratives zyrtare të Moskës se trupat e saj “po i mbrojnë” bashkatdhetarët në Ukrainë.