Bota

OBSH: “Në Europë mund të vdesin rreth 700 mijë persona nga COVID-i në dimër!”

Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi sot se nëse në Europë vazhdon trendi i rritjes së rasteve me COVID-19, gjatë këtij dimri, mund të vdesin rreth 700 mijë persona.

Referuar rritjes drastike të infektimeve me koronavirus në kontinentin europian, OBSH-ja thotë se numri i vdekjeve mund të arrijë deri në 2.2 milion. Ndërkaq, deri më 1 mars 2022, parashikohen ngarkesa në qendrat e kujdesit intensiv në 49 nga 53 shtete.

Vdekjet e raportuara pritet të arrijnë mbi 2.2 milion deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

COVID-19 është shkaku kryesor i fataliteteve në të gjithë Europën, si dhe Azinë Qendrore. Shtimi i rasteve në Europë po nxitet nga një kombinim i variantit shumë të transmetueshëm Delta, mbulimit të pamjaftueshëm të vaksinimit dhe lehtësimit të masave të tilla, si vendosja e maskave dhe distancimi fizik.

Sipas të dhënave të OBSH-së, vdekjet e lidhura me koronavirusin u rritën javën e kaluar në afro 4.200 në ditë, duke u dyfishuar, nga 2.100 që ishin në fund të shtatorit.
Drejtori rajonal i OBSH-së për Europën, Hans Kluge:

Situata me COVID-19 në të gjithë Europën dhe Azinë Qendrore është shumë serioze. Ne përballemi me një dimër sfidues.

Kluge bëri thirrje për një qasje “vaksina plus”, që nënkupton respektimin e distancës sociale, përdorimin e maskave dhe larjen e duarve. Maskat reduktojnë mundësinë e infektimit me COVID-19 deri në 53 për qind sipas një studimi të fundit dhe mbi 160 mijë vdekje mund të parandalohen deri më 1 mars, nëse arrihet mbulimi i përgjithshëm i maskave prej 95 për qind.