Bota

Olena Zelenska: “Djali më pyet vazhdimisht se kur do të mbarojë lufta…”

Zonja e Parë e Ukrainës ka thyer heshtjen për pushtimin rus duke thënë se nuk e di se kur do të përfundojë konflikti. Olena Zelenska, e cila u martua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në 2003, foli për “Good Morning America” të ABC News në një intervistë ekskluzive që u transmetua të enjten përpara 100 ditëve që kur Presidenti rus Vladimir Putin filloi një “operacion special ushtarak” në Ukrainë.

Zelenska, e cila ka qenë e fshehur që nga fillimi i pushtimit, tha se djali 9-vjeçar i çiftit e pyet vazhdimisht se kur do të përfundojë lufta. Ajo u shpreh:

Fatkeqësisht, nuk mendoj se asnjë ukrainas do të ishte në gjendje t’i përgjigjej kësaj pyetjeje. Dhënia e tokës Rusisë, e cila do të ishte e ngjashme me heqjen dorë nga liria, nuk do të ndalonte asgjë. Ata do të vazhdojnë të bëjnë presion, do të vazhdojnë të nisin gjithnjë e më shumë hapa përpara, gjithnjë e më shumë sulme kundër territorit tonë.

Ndërkohë, Zelenska tha se djali i saj vazhdon të pyesë edhe për babanë e tij, të cilin nuk e ka parë që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt.

Ne i thamë lamtumirë njëri-tjetrit që në ditën e parë të luftës. Dhe gjatë dy muajve të ardhshëm, ne patëm mundësi të flisnim vetëm përmes telefonit.

Zelenska tha se është krenare për bashkëshortin e saj prej gati 20 vitesh, duke pretenduar se bota e ka parë identitetin e tij të vërtetë pas vendimit të tij të papritur për të lënë pas një karrierë të suksesshme si aktor i filmave komedi dhe për të hyrë në politikë.

Ky është një tipar i Volodymyr që është shumë i rëndësishëm, atij i pëlqen të ndryshojë gjërat rreth vetes. Dhe kjo është arsyeja pse e kuptova qartë se nuk do të kishte asgjë të ‘mërzitshme’ kur të qëndroje me të.

Rikujtojmë se, Zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, së fundmi iu drejtua gazetarëve të mediave së bashku me bashkëshortin e saj Volodymyr Zelenskyy, duke shënuar herën e dytë që çifti u shfaq së bashku që nga fillimi i luftës në shkurt. Olena, e cila kohët e fundit ka përdorur mediat sociale për të nxitur mbështetjen për vendin e saj, zbuloi se si e mori vesh për luftën dhe foli gjithashtu për pasojat në familjen e saj.