Aktualitet Rajoni

Opozita në Kosovë: Do të kërkojmë shkarkimin e Kurtit…

Opozita në Kosovë ka deklaruar se do të kërkojë interpelancë për tre vitet e qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti e njëkohësisht edhe shkarkimin e tij.

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri e ka quajtur qeverisjen e Kurtit si më të dobëtën në historinë e Kosovës dhe theksoi se përderisa kryeministri ka përmendur zgjedhjet ai është vetëdorëzuar.

“Për ne si Aleancë është e rëndësishme që të trajtohet sa më shpejt kërkesa jonë për një debat parlamentar për trevjetorin e qeverisë.

Kemi hyrë në vitin e katërt dhe Kosova është duke stagnuar gjithçka që i jep kuptim në këtë qeverisej është stagnues, ekonomia, mirëqenia, dhe te gjitha. Janë disa pika që do t’i trajtojmë në Kuvend dhe do të kërkojmë dorëheqjen e tij. Ai është vetëdorëzuar, ne momentin kur flet për zgjedhje është vetë dorëzim i tij”, tha Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë.

“Janë tri mënyra: E parë dorëheqja e tij, e dyta kur votohet mocioni i mosbesimit dhe vetëshpërbërja. Ne si Aleancë e kemi kërkuar shkarkimin e tij që një vit e gjashtë muaj. Kurti në strategjinë e tij e ka viktimizimin, ne do ta thërrasim në interpelancë në diskutim. Ballafaqimi i parë i ynë do të jetë për tri vite qeverisje”, deklaroi më tej ai.

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi tha se nënshkrimet e deputetëve të PDK-së për shpërndarje të Kuvendit janë gati që tani.

Disa ditë më parë Kurti ka deklaruar se është i gatshëm për zgjedhje kur të dojë opozita. Madje, ai tha se nëse opozita është për rrëzimin e Qeverisë, ai do të ndihmojë këtë proces me votat e Vetëvendosjes.