Rajoni

Opozita në Kosovë kundër marrëveshjes me Serbinë për targat!

Policia e Kosovës konfirmon zbatimin e marrëveshjes së 30 shtatorit për targat, në të gjitha pikat kufitare me Serbinë. Në ato të automjeteve që nga territori serb hyjnë në Kosovë, po vendosen letra ngjitëse, për të mbuluar simbolet shtetërore. Akordi i arritur në Bruksel mes Prishtinës e Beogradit, çoi në dhënien fund të tensioneve në veri ku prej 20 shtatorit e deri më 2 tetor, serbët mbanin të bllokuara pikëkalimet e Jarinjës e të Bërnjakut. Barrikadat ishin vendosur në shenjë proteste për vendimin e qeverisë Kurti që të zbatohej reciprociteti për targat, siç vepronte Serbia me ato të Kosovës.

Sot në seancë plenare, partitë opozitare në Kosovë kritikuan marrëveshjen me Serbinë për çështjen e targave. Duke e quajtur “të dëmshme”, ato thonë se përmes saj, Qeveria Kurti po njeh legjitimitetin e institucioneve të Serbisë në territorin e Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri:

Ky është dëmi më i madh që i keni bërë Kosovës. Për dy dekada nuk ka pasur marrëveshje më të dëmshme se kjo. Për dy dekada, Serbia ka lëshuar targa që nuk janë njohur nga qeveria jonë ndërsa me këtë marrëveshje legalizohen targat “KM”, “PR”, “PZ” e të tjera që Beogradi lëshon për qytetarët e Kosovës.

Kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi:

Ajo që po shohim sot është se kemi një marrëveshje për tërheqjen e forcave policore të Kosovës nga veriu. Pse duhet qeveria të bëjë marrëveshje për t’u tërhequr nga pjesë të territorit të saj?

Zv.kryeministri Besnik Bislimi, njëherazi drejtues i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, i quajti “të pavërteta” dhe “tendencioze” deklaratat e PDK-së e LDK-së.
Më 21 tetor fillon punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Europian, Prishtinës e Beogradit, për të gjetur zgjidhje të përhershme lidhur me targat. Brenda 6 muajve, Grupi i Punës do të prezantojë rezultatet, në formatin e dialogut të nivelit të lartë.