Aktualitet

Organizatat e mjedisit kundër qeverisë për Zonat e Mbrojtura!

Organizatat mjedisore paralajmëruan se do t’i kundërshtojnë në gjykatë dy vendimet qeveritare të mesjavës lidhur me kufijtë e Zonave të Mbrojtura, që ende nuk janë botuar në Fletoren Zyrtare. 16 prej tyre, bashkë me përfaqësues të institucioneve shkencore e akademike, shprehin shqetësimin se “reduktohet me 11% sipërfaqja e Zonave të Mbrojtura Ligatinore, iu hiqen habitate të vyera dhe brenda apo pranë tyre iu hapet rrugë aeroporteve apo parqeve industriale me panele fotovoltaike e turbina ere”.

Vendimet synojnë të ligjërojnë shkatërrimin e zonave të mbrojtura bregdetare e ligatinore, duke prekur Liqenin e Shkodrës, ekosistemin Bunë-Velipojë, ligatinat Kune-Vain, Tale Patok, Parqet Kombëtare të Divjakë-Karavastasë e të Butrintit, si dhe zonat Vjosë-Nartë e Pishë-Poro.

Ekosistemit Kune-Vain-Tale Patok – Fushëkuqe – Ishëm i hiqen mbi 85 mijë hektarë nga statusi i mbrojtjes, të Liqenit të Shkodrës afro 2 mijë e 500, atij Korab-Koritnik rreth 1 mijë e 700. Ndërkaq, parqet kombëtarë Lurë-Mali i Dejës, Dajt e Butrint, respektivisht do të kenë nga 954, 823 e 802 hektarë më pak.

Me parqe kombëtare, rezervate e monumente natyrore, më parë, Rrjeti i Zonave të Mbrojtura të Shqipërisë përbënte rreth 18% të territorit ndërsa me dy vendimet e fundit të qeverisë, kjo sipërfaqe zgjerohet në 21%. Sipas tyre, disa prej ekosistemeve natyrore iu është shtuar sipërfaqja, por iu zvogëlua shkalla ligjore e mbrojtjes, nga e nivelit të dytë apo të tretë, në të katërt.

Ndërkaq, Lugina e Vjosës dhe ajo e Shalës ishin dy zonat e reja që iu shtuan listës së zonave të mbrojtura si parqe natyrore me mbrojtjen e kategorisë së katërt. Prej vitesh, sidomos për Lumin Vjosa, janë bërë përpjekje nga organizatat mjedisore që të shpallet Park Kombëtar ku shkalla e dytë e mbrojtjes që gëzon ky status do të garantonte frenimin e zbatimit të disa projekteve për ndërtimin e hidrocentraleve të mëdhenj e të vegjël.