Politikë

Palmer: SHBA dëshiron zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri

“Uashingtoni dëshiron që ngërçi politik në Shqipëri të zgjidhet”. Kështu deklaron i Dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, Metju Palmer, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”. “Ne kemi një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë aktuale të Shqipërisë, ashtu siç e kemi patur me të mëparshmen”, – thotë Palmer. Zyrtari i lartë thekson se “Në lojën politike, Shtetet e Bashkuara nuk zgjedhin fitues e humbës, askund e veçanërisht në Ballkanin Perëndimor”, ku siç shprehet, “po përpiqet të bëjë punën e tij”. Më tej, shton se “Uashingtoni punon me qeveritë që dalin përmes zgjedhjeve demokratike”. Në vijim të intervistës për “Zërin e Amerikës”, Metju Palmer vë në dukje se “Administrata amerikane i kupton dëshirat e Opozitës shqiptare për të parë zbatimin e reformave dhe e mbështet qëllimin e tyre”. “OSBE-ja bëri rekomandime shumë specifike lidhur me Reformën Zgjedhore në Shqipëri. Ne do të dëshironim të shihnim një dialog mes Qeverisë e Opozitës për këtë reformë. Kur kjo marrëveshje të arrihet, do të dëshironim që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen mbi këtë bazë”. Ndërkaq, Palmer thekson rëndësinë e krijimit të Gjykatës Kushtetuese që të gjykojë mosmarrëveshjet politike.