Aktualitet

Parashikimet e BB-së: Ekonomia shqiptare rritje me 3.2% këtë vit!

Banka Botërore parashikon që ekonomia shqiptare të rritet me 3.2% këtë vit, në ngadalësim të ndjeshëm në krahasim me nivelin prej 3.6% që parashikohet të jetë mbyllur 2023-shi. Ky institucion ka publikuar raportin mbi Perspektivën Ekonomike Globale. Edhe për vitin 2025 pritshmëria mbetet e njëjtë, në 3.2%. Në krahasim me raportin e qershorit 2023, si për vitin 2024, ashtu dhe për 2025, vlerësimi është ulur me 0.1 pikë përqindje.

Rritjen më të lartë më 2024-ën pritet ta ketë Kosova, me 3.9%. Mali i Zi e ka në të njëjtin nivel me ne, në 3.2%. Serbia do të zgjerohet me 3%. Nivelin më të ulët parashikohet ta kenë Bosnja dhe Maqedonia e Veriut, me respektivisht 2.8 e 2.5%.

Për në vitin 2024, Banka Botërore parashikon që ekonomia globale të ngadalësohet për të tretin vit radhazi. Ekonomia globale është në rrugën e duhur për të regjistruar gjysmë dekadën e saj më të keqe të rritjes në 30 vjet referuar Bankës Botërore.

Ekonomia globale parashikohet të ngadalësohet për të tretin vit radhazi më 2024-ën, duke u ulur në 2.4% nga 2.6% në vitin 2023. Ekonomia pritet të rritet pak edhe në vitin 2025, me vetëm 2.7%.

Pavarësisht se perspektiva e një recesioni global është zvogëluar, kryesisht për shkak të fuqisë së ekonomisë amerikane, rritja e tensioneve gjeopolitike do të paraqesë sfida të reja afatshkurtra duke bërë që shumica e ekonomive të rriten më ngadalë në vitet 2024 e 2025, se në dekadën e mëparshme.

Banka Botërore parashikon se Eurozona me 20 vende do të rritet me 0.7% këtë vit, një përmirësim modest nga zgjerimi prej 0.4% i vitit të kaluar.

Institucioni financiar ndërkombëtar pret që rritja ekonomike në Shtetet e Bashkuara,  vendi që udhëhoqi rrugën më 2023-shin, me një rritje prej 2.5%, të ngadalësohet në 1.6% këtë vit. Normat më të larta të interesit dobësojnë huamarrjen dhe shpenzimet.

Ekonomia e Kinës, e dyta më e madhe në botë, parashikohet të rritet 4.5% këtë vit dhe 4.3% më 2025-ën, duke u ulur ndjeshëm nga 5.2% vitin e kaluar. Rritja e ngadaltë e Kinës ka të ngjarë të dëmtojë vendet në zhvillim që furnizojnë tregun kinez me mallra. Këto përfshijnë Afrikën e Jugut që prodhon qymyr dhe Kilin, eksportues të bakrit.