Aktualitet Politikë

Partia Demokratike në tre pjesë, Bardhi, Alibeaj e Tabaku kërkesë Bashës të bëjë hap pas!

Pas humbjes së thellë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, Lulzim Bashës i kërkojnë dorëheqjen edhe Gazment Bardhi, Enkelejd Alibeaj e Jorida Tabaku. Në të mirë të bashkimit të Partisë Demokratike, i drejtuan sot thirrje kryetarit, “të bëjë një hap pas”. Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi i tha Bashës se “dorëheqja e tij dhe e Sali Berishës mund të japë shans për zgjidhje”. Sipas Alibeajt, “PD është e ndarë në tre pjesë: me Bashën, Berishën dhe pjesa tjetër pa përfaqësim”.

Në mbledhjen e sotme të grupit demokrat, Alibeaj deklaroi:

Kryetar, ju duhet të bëni një hap pas, edhe Sali Berisha e të bashkohen demokratët! Duhet të japim sinjale bashkimi. Kam dy alternativa: e para, nuk e shoh dot PD që të ngjitet pas Sali Berishës. Nuk është alternativë! Merreni si të doni, emocionale, personale! Ne duhet te japim sinjale bashkimi. E dyta, duhet t’u japim shans të tre pjesëve që të bashkohen. Procesi duhet të jetë i sinqertë. Propozoj që përderisa këto 2 pjesë e kanë një përfaqësim, e treta nuk e ka dhe ju thatë që jeni në funksion të zgjidhjes, ju të bëni hap pas, Berisha hap pas, të krijohet substanca e bashkimit, e sinqertë. Këtë shoh si mundësi. Kemi kohën e mjaftueshme.

Në të njëjtën linjë edhe Jorida Tabaku:

Nga 9 shtatori kam kërkuar bashkim. Jam sulmuar ose kam kërkuar të jemi bashkë. Rezultati që morëm në terren, na dëmtoi. Edhe pala tjetër nuk arriti gjë. Pra, vetëm bashkë dhe përtej nesh mund t’ia dalim. Në Vorë më thanë se nga 25 Prilli nuk ka patur njeri në terren nga PD. Ne nuk mund të jemi parti zyrash. Nuk është karriera individuale në lojë, as e Bashës, e Joridës. Eshtë PD në lojë. Secili duhet të kalojë mbi vete dhe te shohim cili është ky hapi përbashkues. Besoj kryetar që ju duhet të bëni një hap pas. Të gjejmë një mënyrë sesi faktorët në PD të bashkohen dhe ne të ecim përpara. Besoj se ne duhet të ishim sot në proteste. Ata presin që ne të jemi përballë Edi Ramës, jo njëri tjetrit.

Në mbledhjen e grupit, Basha u shpreh:

Të ofrojmë zgjidhje  për situatën dhe që i shërben PD, dhe jo interesave personale. Unë jam i hapur për çdo zgjidhje që i shërben demokratëve, të gjithë demokratëve pavarësisht se për cilin kandidat votuan dhe për të tërhequr atë shumice nga radhët tona që nuk votoi.

Duhet të kalojmë vetveten, të shtyjmë për një zgjidhje. I kuptoj vështirësitë kur flisni me demokratët të cilët kërkojnë zgjidhje. Të diskutojmë të gjitha rrugët  e të dalim me një zgjidhje, mundësisht me një zgjidhje të vetme. Ne duhet të gjejmë një qëndrim te përbashkët të të gjitha strukturave te PD për të gjetur zgjidhje. Çdo zgjidhje që përjashton çdo grupim demokratësh, nuk i shërben zgjidhjes. Në kuadër të kësaj jam gati të ndërmarr çdo veprim që i shërben PD-së!

Deputeti demokrat, Dash Sula ka bërë një propozim konkret për të gjetur zgjidhjen për bashkimin e PD-së:

Tërheqja e zotit Basha dhe krijimi i një nukli dhe të punojë me një grup nga foltorja pa Sali Berishën e të punojnë për PD. Nukli i dy palëve të drejtojë PD deri në zgjedhje dhe pastaj të bëhen zgjedhjet në parti!