Bota

Pas armëpushimit, rinisin furnizimet me karburant në Gaza!

Kamionë të ngarkuar me karburant hynë sot në Gaza, pas një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Egjipti mes Izraelit e militantëve të Xhihadit Islamik, duke rritur shpresat se konflikti që la dhjetëra palestinezë të vdekur, tashmë është drejt fundit. Në pikëkalimin e mallrave për në Gazën jugore, një gazetar i AFP-së pa kamionë të ngarkuar me karburant që hynë në pjesën palestineze, duke i dhënë fund një mungese të ndjeshme.

Armëpushimi hyri në fuqi mbrëmjen e së dielës, për t’i dhënë fund dhunës që zgjaste prej tre ditësh mes ushtrisë izraelite e militantëve palestinezë në Gaza. Pasi hyri në fuqi, armëpushimi i ndërmjetësuar nga Egjipti, u respektua nga të dyja palët, pavarësisht të shtënave sporadike në orët e para të tij.

Të paktën 44 palestinezë, mes tyre 15 fëmijë u vranë në sulmet e fundit të ushtrisë izraelite në Gaza, përplasja më e dhunshme mes palëve që prej majit të vitit të kaluar. Liderët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kombeve të Bashkuara u bënë thirrje palëve, të vazhdojnë të respektojnë armëpushimin.

Joe Biden kërkoi të gjenden mënyrat, që furnizimet humanitare e të karburanteve, të mund të dërgohen në Gaza. Ndër të tjera, shefi i Shtëpisë së Bardhë, apeloi të hetohen rastet e vdekjeve të civilëve. Tensionet e fundit nisën me sulmet izraelite në Rripin e Gazës, kundër kërcënimeve të grupit militant Xhihadi Islamik. Në ditët pasuese, ato u rritën dhe Izraeli arrestoi një anëtar të lartë të Xhihadit, në Bregun Perëndimor.

Ministria palestineze e Shëndetësisë fajësoi “agresionin izraelit” për këto vdekje. Të njëjtat burime raportuan për mbi 300 të plagosur. Autoritetet shëndetësore në Gaza janë të shqetësuara për situatën humanitare. Ndërkohë, Izraeli u shpreh se rezervon të drejtën të “përgjigjet fuqishëm”, nëse shkelet armëpushimi.

Izraeli vrau liderin e dytë të grupit Xhihadi Islamik Palestinez, ndërsa vijon të rritet numri i viktimave nga sulmet ajrore në Gaza. Khaled Mansour gjeti vdekjen nga bombardimet ajrore në shtëpinë e tij në Rafah, në jug të Gazës. Në të kaluarën, Mansour, njeri me ndikim në grup, u mbijetoi 5 përpjekjeve të ushtrisë izraelite për ta vrarë. Ai akuzohej për përgatitje të operacioneve ushtarake jashtë Gazës. Ai dhe lideri tjetër, Tayseer Jabari, janë në mesin e 44 palestinezëve që raportohen të vdekur.