Rajoni

Pas bisedimeve me Kurtin dhe Vuçiç, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg, reagon për situatën në Kosovë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka reaguar sërish për situatën e krijuar në veri të Kosovës për shkak të reciprocitetit për targat me Serbinë.

Përmes një postimi në Twitter, ai shkruan se ka biseduar me Presidentin Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin Albin Kurti ku i ka kërkuar që të ulin tensionet mes dy vendeve.

“Kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq lidhur me nevojën për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Është vitale që Prishtina dhe Beogradi të tregojnë përmbajtje dhe t’i kthehen dialogut. Mandati i misionit të NATO-s, KFOR-it mbetet që të sigurohet që të ketë ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë”, ka shkruar Stoltenberg.

Për 7 ditë me rradhë, dy rrugët në Kosovë që të çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë bllokuar për shkak të kundërshtimeve të serbëve lidhur me masën e reciprocitetit për targat.

Për këtë situatë të krijuar, kanë reaguar dhe SHBA ku i bëjnë thirrje të dyja palëve për të ulur tensionet dhe për t’iu kthyer dialogut.