Bota

Pas mbi 7 muajsh, Gjermania nuk regjistroi asnjë viktimë nga COVID-i!

Për të parën herë në më shumë se 7 muaj, Gjermania nuk ka regjistruar asnjë vdekje nga koronavirusi, sipas raportit të saj ditor. Shifrat nga Instituti “Robert Koch” për Kontrollin e Sëmundjeve (RKI), të publikuara sot në mëngjes për periudhën e fundit 24-orëshe, nuk treguan asnjë vdekje të re nga ose me COVID-19, për herë të parë që nga 21 shtatori i vitit të kaluar.

Ndryshimet ose përditësimet e mëvonshme janë të mundshme dhe shifra më të ulëta të vdekjeve përgjithësisht regjistrohen nga autoritetet shëndetësore gjatë fundjavave. Autoritetet shëndetësore gjermane regjistruan 4 mijë e 032 raste koronavirusi në periudhën e fundit 24-orëshe, por shifrat luhaten në ditë të caktuara të javës, veçanërisht në fundjavë, kur disa shtete nuk raportojnë në RKI.

Gjermania ka numëruar 24 milion e 813 mijë e 817 infeksione të konfirmuara me koronavirus dhe 135 mijë e 461 vdekje që nga fillimi i pandemisë, por shifrat e vërteta ka të ngjarë të jenë shumë më të larta pasi shumë raste besohet se kanë kaluar të pazbuluara.

Zelanda e Re ka rihapur kufijtë e saj për më shumë vizitorë ndërkombëtarë, pas mbylljes prej më shumë se dy vjetësh të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Njerëz nga më shumë se 60 shtete të botës mund të hyjnë tani në këtë vend nëse janë të vaksinuar kundër koronavirusit dhe kanë test negativ. Vetë qytetarët e Zelandës së Re kanë mundur të udhëtojnë brenda dhe jashtë vendit që nga marsi, ndërsa australianët u lejuan që nga prilli. Zelanda e Re mbylli kufijtë prej marsit të vitit 2020, kohë kur shpërtheu pandemia e koronavirusit. Ky vend me pesë milionë banorë ka regjistruar gjithsej 713 viktima nga COVID-i. Qeveria u shpreh se “numri i ulët i viktimave është rezultat i strategjisë së izolimit, si dhe politikave të testimit të shpejtë e gjurmimit”.

Koronavirusi që shkakton sëmundjen COVID-19, për herë të parë u evidentua në Kinë, në fund të vitit 2019. Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli pandemi, në mars të 2020-ës. Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins” në SHBA, koronavirusi ka prekur mbi 513 milion vetë në të gjithë botën e mbi 6.2 milion prej tyre kanë ndërruar jetë.