Sport

Pasi mori miratimin, Novak Xhokoviç i lumtur të luajë në Australian Open!

Tenisti serb, Novak Xhokoviç u shpreh i lumtur dhe mirënjohës lidhur me vendimin e një gjyqtari në Melburn të Australisë, që hodhi poshtë vendimin e qeverisë australiane për t’i anuluar vizën.

Ai tha se dëshiron që të garojë në Australian Open, një prej turneve kryesore në sportin e tenisit.

Jam i lumtur dhe mirënjohës që gjykatësi hodhi poshtë anulimin e vizës. Pavarësisht asaj që ndodhi, unë dua të qëndroj e të tentoj të garoj në Australian Open dhe jam i fokusuar për këtë. Erdha këtu për të luajtur një prej turneve më të rëndësishëm, para tifozëve të jashtëzakonshëm.

Më herët gjatë ditës, 34-vjeçari u lirua nga qendra e ndalimit në Australi, pasi gjykatësi Anthony Kelly e konsideroi “të paarsyeshëm” vendimin e Qeverisë për t’i refuzuar hyrjen në këtë shtet.

Pas vendimit, familja e Xhokoviçit u shpreh se “e vërteta dhe drejtësia fituan”. Në një konferencë shtypi në Beograd, vëllai i tij Gjorgje deklaroi:

Ishte sfidë e madhe për të gjithë ne si familje. Kemi bërë gjithçka që të respektojmë të gjitha protokollet. U treguam shumë të ndjeshëm e është shumë e vështirë për ne, që ta mbrojmë Novakun pa ofenduar askënd. E vërteta dhe drejtësia dolën në pah e dua të falënderoj sistemin ligjor të Australisë, gjykatësin Kelly, i cili ishte i paanshëm dhe shqyrtoi të gjitha faktet, nga momenti kur Novak arriti në aeroportin e Melburnit.

Tashmë, tenisti lejohet të luajë në Australian Open, më 17 janar, pikërisht se gjykatësi në Melburn rrëzoi vendimin e qeverisë australiane që i anuloi vizën, si dhe urdhëroi daljen e tij nga karantina. Javën e kaluar, Xhokoviçit iu mohua hyrja në Australi, me justifikimin se nuk është i vaksinuar kundër koronavirusit. Por, një përfaqësues i qeverisë bëri të ditur se pavarësisht vendimit, Ministria e Emigracionit rezervon të drejtën për ta dëbuar. Nëse kjo ndodh, tenisti serb nuk mund të shkelë për tre vjet në territorin australian.