Aktualitet Politikë

PD: Bordi i Transparencës nuk reflekton çmimet në bursë të naftës!

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Aldo Bumçi reagoi sot pas vendimit të djeshëm të Bordit të Transparencës për të ulur me dy lekë çmimin e naftës.

Bordi i Transparencës e ka ulur çmimin e naftës në vend nga 240 në 238 lekë për litër. Dylekëshi i bordmenëve të qeverisë dhe oligarkisë nuk është ulje, por një shuplakë për konsumatorin shqiptar. Në bursën ndërkombëtare nafta ka shkuar në 95 dollarë për fuçi. Kjo rënie globale nuk duket askund në çmimin e Bordit të Transparencës.

Sipas Bumçit, të vetmet raste kur çmimet në Shqipëri lëvizin, është kur nafta në tregjet ndërkombëtare rritet.

Standardi i përdorur nga grosistët, i lejuar dhe bekuar nga qeveria, është tregues i talljes dhe babëzisë me qytetarin. Bordet nuk shërbejnë për gjë tjetër, veç si shfajësim i qeverisë për abuzimet me çmimet e larta të hidrokarbureve. Çdo ditë që kalon e bën Bordin e Transparencës, bashkëpunëtor në vjedhje dhe në varfërimin e shqiptarëve.

Po sipas Bumçit, “mosreflektimi i uljes së naftës në bursa në tabelat e çmimeve të karburanteve në vend është shenjë se Bordi nuk bën transparencë”.

Vendimi më i fundit i Bordit të Transparencës për çmimet e reja të karburanteve, hyri në fuqi pasditen e djeshme në orën 18:00 dhe mbetet në fuqi, deri në mbledhjen e radhës.

Bordi i Transparencës në datë 15 Korrik 2022, në mbledhjen e radhës vendosi:

✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 238 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 226 lekë/litër.

✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 218 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 206 lekë/litër.

✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 81 lekë/litër edhe i shitjes me shumicë 69 lekë /litër.

🗓Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 15 Korrik ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.

🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

🛢Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë.