Bota

Për herë të parë në 18 vjet, më pak përdorues të Facebook-ut!

Për herë të parë në 18 vjet, gjiganti teknologjik, Facebook po përballet me rënie të përdoruesve aktivë. META, kompania mëmë e Facebook-ut, njofton se përdoruesit aktivë ditorë kanë rënë në 1.929 miliard në 3-mujorin e fundit të 2021-shit, në krahasim me 1.930 miliard në atë korrik-shtator të vitit të kaluar. Me klientët që po zvogëlojnë shpenzimet për reklama, kjo kompani paralajmëron rënie të fitimeve ndërsa rivalizohet nga TikTok e YouTube,

Pas njoftimit, vlera e aksioneve të META-s ra me 20 për qind, shifër që në para’ përkthehet në 200 miliard dollarë.

Vlera e aksioneve shënon rënie edhe te platformat e tjera të mediave sociale, duke përfshirë Twitter, Snap e Pinterest. Shefi ekzekutiv i META-s, Mark Zuckerberg pranon se “rritja e kompanisë është dëmtuar, pasi kryesisht të rinjtë kanë kaluar te rivalët”.

META, e cila përbën platformën e dytë më të madhe në botë për reklamim, pas Google-it, bëri të ditur se është dëmtuar edhe nga ndryshimet për privatësi në sistemin operativ të pajisjeve të kompanisë, Apple.

Ndryshimet ua kanë vështirësuar kompanive procesin e shënjestrimit dhe matjes së efektit të reklamave të tyre në Facebook e po ashtu Instagram. Zuckerberg ka thënë se është i bindur se investimet në realitetin virtual do të kenë rezultatin e tyre.